Vidal mund të largohet për shifrën e 30 milion eurove

Arturo Vidal, mund të largohet nga Juventus në fund të këtij sezoni, nëse Bajern Mynih apo Real Madrid që e ndjekin me vëmendje, janë gati të paguajnë 30 milion euro për lojtarin.Kjo është arsyeja pse menaxheri futbollistit do të takohet gjatë kësaj fundjave me drejtuesit juventinë, për t'i bërë të qartë që ndaj tij ka një interesim të jashtëzakonshëm dhe oferta konkrete.Lojtari u ble nga Juventus në vitin 2011 për 10.5 milion euro nga Leverkusen dhe në atë periudhë firmosi një kontratë pesëvjeçare që e mban te bardhezinjtë deri në vitin 2016. Kuptohet që ai ka qenë një mesfushor i pazëvendësueshëm në sezonin e parë që ktheu titullin kampion te Juventus, ndërsa gjatë vitit të fundit, ndonëse është zgjedhja e parë e Antonio Kontes, shpesh është zëvendësuar nga Pol Pogba, i cili shihet si pasardhësi i tij natyral.Prania e Pogba është ajo që duket se mund të bindë Juventusin të heqë dorë nga kiliani, për sa kohë që në zyrat e klubit mbërrin një ofertë prej të paktën 30 milion eurosh. Pikërisht diskutimi i një oferte të tillë është arsyeja e vizitës në Torino gjatë kësaj fundjave të Fernando Feliçeviç, menaxherit të futbollistit. Ai pret dritën e gjelbër nga klubi për të diskutuar detajet ekonomike personale të futbollistit te Bajern Mynih apo te Real Madrid, në varësi të skuadrës që do të fitojë këtë ankand të mirëfilltë për mesfushorin.