FBI përgënjeshtron lajmin e arrestimit të Abramoviç
FBI është detyruar të lëshojë një deklaratë për shtyp në mënyrë që t'i jepej fund spekulimeve për arrestimin e Roman Abramoviç, pronarit të Çelsit, gjatë qëndrimit të këtij të fundit në SHBA."Ne nuk e kemi arrestuar Abramoviçin. Ky është vetëm një spekulim dhe nuk ka asgjë të vërtetë", ishte komenti i një zëdhënësi për shtyp të FBI rreth lajmit që u përhap nga agjensia e lajmeve ruse "RBC", e cila thuhet të ketë cituar burime të pakonfirmuara.Raportimi i "RBC" pasoi spekulimet e mediave rreth vdekjes së pashpjeguar në Angli të miliarderit rus Boris Berezovski, i cili vitin e kaluar humbi një çështje gjyqësore prej qindra milionë dollarësh kudër Abramoviç, që ishte në ortak i tij.Një nga zëdhënësit e vetë Abramoviç konfirmoi se ai gjendet në SHBA, por nuk është arrestuar nga FBI apo ndonjë forcë tjetër e ruajtjes së rendit në këtë vend.Pronari i Çelsit jeton për pjesën më të madhe të kohës në Londër, ku ndonëse shihet rrallë në stadium apo stërvitje, ka treguar se është një tifoz i madh i skuadrës të cilën e bleu 10 vite më parë dhe e ktheu në një superfuqi të futbollit evropian.