Spanja pushton Parisin, fiton supersfidën e grupit I ndaj Francës

Spanja ka lënë pas krahëve polemikat e ditëve të fundit dhe dyshimet për formën e saj duke rimarrë kreun e grupit pikërisht në fushën e rivales së saj kryesorë, Francës. Iberikët kanë fituar 1-0 në Paris dhe tashmë janë ata që kryesojnë Grupin I duke qenë në një pozicion më të favorshëm për kualifikimin direkt për në Botërorin "Brazil 2014".Në një ndeshje mjaft spektakolare në "Sta de france", dy skuadrat kanë luajtur futboll të hapur dhe kjo ka bërë që të dy ekipet të krijojnë raste të shumta për të shënuar. Ndonëse Spanja ka pasur më shumë raste edhe për mbajtjen më të tepërt të topit, edhe francezët nuk kanë ngurruar të sulmojnë vazhdimisht, sidomos me Riberi që përhapte panik në mbrojtjen spanjolle sa herë që kishte topin në zotërim.Suksesi i Spanjës erdhi nga këmbët e Pedro Rodriguez, i cili arriti të shënonte golin e vetëm të kësaj sfide në minutën e 58-të. Më pas, Spanja u tërhoq disi në mbrojtje dhe vuajti për shumë minuta trysninë e vendasve, edhe pse këta të fundit mbeten me 10 lojtarë pas kartonit të kuq të Pol Pogba. Për të siguruar rezultatin u deshën disa ndërhyrje vendimtare të Viktor Valdes, i cili bëri të harrohet mungesa mes shtyllave e Iker Kasijas, që në këtë ndeshje ishte një spektator mjaft i veçantë në tribunë.Kur kanë mbetur edhe nga 3 ndeshje për t'u luajtur nga të dy skuadrat, Spanja ka një kalendar më të favorshëm, pasi luan dy prej tyre në fushën e saj, ndërsa Franca luan dy nga ndeshjet jashtë fushe.Pas kësaj fitore në grupin I Spanja kryeson renditjen me 11 pikë e ndjekuar nga Franca me 1 pikë më pakë. Në vendin e 3 ndodhet Gjeorgjia me 4 pikë, pas saj vjen Bjelorusia me 3 dhe mbyll klasifikimin Finlanda me 2 pikë.