Lionel Messi: Nëse nuk fitoj Botërorin nuk kam fituar asgjë
Lionel Messi bëhet gati që të luajë sfidën për eliminatoret e Botërorit "Brazil 2014" kundër Venezuelës në stadiumin "Monumental" të Buenos Aires, ku përpara këtij takimi do të marrë një vlerësim për 4 "Topat e Artë" të fituar nga ai."Pranoj se nuk dija gjë që federata do më vlerësonte për arritjen time dhe natyrisht që jam shumë i lumtur. Gjithsesi, tani e në vazhdim do të më takojë mua që ta shpërblej të gjithë këtë dashamirësi, duke filluar nga ndeshja e vlefshme për eliminatoret e Botërorit me Venezuelën. Ndeshje e lehtë për ne? Absolutisht jo. Kundër tyre gjithmonë kemi vuajtur sepse ata janë një kombëtare që kanë ardhur gjithmonë e në rritje. Për më shumë, unë jam i bindur që futbollistët venezuelianë do të vijnë edhe më të karikuar kundër nesh, për faktin se ata duan t'i dhurojnë një përshëndetje të fundit presidentit të tyre, Hugo Çavez, i cili u nda nga jeta pak kohë më parë, ndaj duhet të bëjmë kujdes", u shpreh "Pleshti.Më pas Messi ka folur edhe për planet e së ardhmes: "Nuk e di nëse jam më i miri në botë, por natyrisht që jam një futbollist i mirë, ndonëse për të qenë i plotësuar totalisht, për të mos qenë një hiç kundrejt ikonave të tjera si Maradona dhe Pele, duhet të fitoj Botërorin”.“Pa të, natyrisht që karriera ime do të mbetet e pakompletuar, ndaj në "Brazil 2014" do bëjmë të pamundurën që të triumfojmë", përfundoi deklaratën Lionel Messi.