Spanja ndalet në shtëpi dhe vë në dyshim pjesëmarrjen në "Brazil 2014"
Spanja bën një hap fals në shtëpi dhe rrezikon pjesëmarrjen në Brazil 2014.Djemtë e Del Boskes kanë barazuar me rezultatin 1-1 ndaj Finlandës në shtëpi në një takim i cili ka zbritur në vendin e dytë Iberikët. Përgjatë 90 minutave është "furia e kuqe" që kontrollon lojën, por në fund nordikët ia dalin të shënojnë një gol që shokon kampionët në fuqi të botës dhe Europës. Për teknikun, e djeshmja qe një sfidë e veçantë, pasi ai u bë njeriu që ka më shumë ndeshje në stolin e përfaqësueses së Spanjës. Por sigurisht që përfundimi nuk është ai që kishte dëshiruar. Iberikët edhe pse arrijnë të kalojnë të parët në avantazh me anë të qendërmbrojtësit Serxho Ramos, nuk arrijnë të administrojnë avantazhin e krijuar në fillim të pjeses së dytë. Tronditja e Iberikeve do të vinte në minutën e 79-të, kur Puki shndërron në gol aksionin e vetëm të miqve në portën kundërshtare. Në minutat në vijim, spanjollët do të mundohen të gjejnë golin e fitores, por ndeshin në një mbrojtje të hekurt të finlandezve që arrinë të marrin një barazim të madh ndaj kampionëve në fuqi të Botës dhe Europës.Që të mund të rikthehen sërish në pozitat e tyre, spanjollët duhet të fitojnë në ndeshjen e madhe ndaj Francës, e cila do të luhet të Martën në Paris. Ata kanë 8 pikë, kurse "gjelat" dy më shumë. Tensionet e fundit që përfshinë teknikun spanjoll, sa i përket marrjes jo të merituar të çmimit si trajneri më i mirë nga UEFA, duket se kanë lënë shenjë edhe në përfaqësuese që në rast të një tjetër humbje ndaj Francës mund ti thotë lamtumirë pjesëmarrjes në Botëror.Në fushë luajti gjatë gjithë takimit edhe futbollisti me origjinë shqiptare, por me nënshtetësi finlandeze, Përparim Hetemaj.