Kapiteni Cana: Skuadrës i mungon një identitet në transfertë
Kombëtarja vijon përgatitjet në Durrës për sfidën ndaj Norvegjisë për eliminatoret Brazil 2014. Kapiteni Cana dhe qendërmbrojtësi Mavraj, kanë dhënë deklaratat e radhës për shtyp, ku kanë theksuar impenjimin që kombëtarja po bën për të përgatitur sa më mirë këtë përballje interesante. Kapiteni kuqezi i uroi mirseardhjen kontigjentit të ri në kombëtare dhe vlerësoi punën e bërë nga drejtuesit e federatës për ti garantuar Bashës të drejtën për të luajtur që në ndeshjen kundër Norvegjisë."Mendoj se është bërë një punë e mirë nga stafi drejtues që kombëtares ti bashkohet një lojtarë i rëndësishëm si Migjen Basha, i cili luan në Seria A, një nga ligat më të njohura të futbollit. Uroj që shumë shpejtë të zgjidhet edhe çështja e Ramës, pasi edhe ai mund të japë kontributin e tij në kombëtare. Ndaj Norvegjisë shpresojmë që të marrim më të mirën edhe pse jemi të vetëdishëm për vështirësitë. Do të na mungojë mbështetja e publikut, e cila ka një domethënie të rëndësishme për ne. Skuadra jonë kombëtare nuk ka një identitet loje në transfertë, ndaj edhe ndihet shumë mungesa e mbështetjes së publikut. Përveç Canës, një mendim për përgatitjet e kombëtares dhe ndeshjen kundër Norvegjisë dha edhe qendërmbrojtësi Mavraj. Ky i fundit tha se: "Ne kemi shumë vështirësi në organizimin e ndeshjeve kur luajmë në transfertë. Ky është synimi ynë që të përmirsojmë në ndeshjet e ardhëshme. Në mbrojtje duhet të kemi shumë kujdes, pasi në takimet e fundit janë vrejtur shumë probleme”, ka përfundur qendërmbrojtësi i kombëtares që prej vitesh aktivizohet në Bundesligën Gjermane.Ndeshja Norvegji - Shqipëri do të luhet të Premten në Oslo, ndërsa kuqezinjtë tanë pritet që të kthehen me një rezultat pozitiv.