Murinho akuzon FIFA-n: Pati korrupsion në dhënien e çmimit trajneri më i mirë
Hoze Murinjo ka lëshuar bombën e radhës, duke deklaruar se FIFA ka manipuluar në favor të Vicente Del Boske votimin për çmimin "Trajneri i Vitit", të akorduar gjatë mbrëmjes gala ku u dha edhe "Topi i Artë" për Lionel Mesin.Tekniku portugez e ka bërë këtë deklaratë të bujshme në televizionin kombëtar portugez "RTP", duke akuzuar edhe trajnerin spanjoll për miqësi brenda institucionit që drejton futbollin botëror."Nuk shkova në ceremoni pasi FIFA ishte në dijeni të disa parregullsive në votime, por nuk bëri asgjë për t'i rregulluar. Asaj i mungoi transparenca. Disa miq të mi më telefonuan për të më thënë se më kishin votuar, por në fund vota e tyre ishte numëruar për Del Bosken. Me sa duket, trajneri i kombëtares spanjolle ka miqësi atje lart që kanë më shumë vlerë se unë", ishte deklarata e Murinjos që pritet të sjellë reagime të shumta.Ndërkohë, trajneri portugez ka folur edhe rreth duelit kundër Gallatasarajit dhe asaj që pret nga sfida e radhës se Ligës së Kampioneve."Duhet të shkojmë medoemos në Stamboll me një avantazh të vogël. Real Madrid nuk duhet të jetë kurrë i kënaqur që shkon në çerekfinalet e turneut dhe duhet të mendojë gjithmonë që të arrijë maksimumin"."Përballë kemi një skuadër me njerëz që e njohin mirë Ligën e Kampioneve dhe ku janë dy fitues si Drogba e Shnajder, lojtarë që kanë luajtur në skuadrat më të mira si Ebue te Arsenali, Felipe Melo te Juventus, Riera te Liverpuli e Muslera te Lacio. Në Turqi Tifozët janë një mbështetje shumë e madhe për skuadrën dhe ne duhet ta kemi parasysh këtë fakt për ndeshjen që do të luajm në transfertë", deklaroi trajneri portugez.