Tirana ndëshkon drejtuesit e klubit, largohen Tagani dhe Tafaj

Humbja turpëruese 3-6 në fundjavë përballë Flamurtarit ka shkaktuar kaos te Tirana ku bordi drejtuesi i klubit ka larguar administratorin Tagani dhe drejtorin teknik Alban Tafaj.Sipas bordit drejtues të klubit që është në varësi të bashkisë së kryeqytetit, përgjegjësia për të gjitha këto probleme që kanë kaluar bardheblutë, përfshirë edhe ato të vonesave të rrogave të lojtarëve, janë vetëm faji i dy të shkarkuarve. Një veprim i tillë në fakt duket disi i çuditshëm, duke pasur parasysh se pak kohë më parë, për një seri të njëjtë rezultatesh e dështimesh, nga drejtimi i skuadrës u largua trajneri Artur Lekbello.Këtë radhë, trajneri Nevil Dede nuk është prekur, si dhe nuk është marrë asnjë masë ndaj lojtarëve. Ndoshta bordi drejtues i është frikësuar faktit se masa ndaj futbollistëve apo trajnerit të ekipit do të përkeqësonin situatën me lojtarët që kanë disa muaj pa u paguar dhe kanë paralajmëruar se mund të bojkotojnë plotësisht ekipin kryeqytetas duke e lënë mes katër rrugëve.Ndërkohë, për të kaluar këtë situatë krize, si administrator i klubit është zgjedhur ish-lojtari dhe trajneri i bardhebluve, Krenar Alimehmeti. Meqë ky i fundit njeh shumë mirë ambientin bardheblu dhe është një nga figurat më të respektuara nga tifozeria e Tiranës, bordi drejtues i ekipit mendon se ai do të jetë në gjendje të udhëheqë skuadrën për të dalë nga kriza që e ka mbërthyer në këtë sezon ku mungon si mbështetja e sponsorëve të mirëfilltë, ashtu edhe ajo e bashkisë, e cila deri tani ka qëndruar shumë larg ekipit.