Rama në "Ora Sport Debat", shpalos vizionin për sportin

Kreu i PS-së, Edi Rama ka bërë një ekspoze të sportit në vend, duke shpalosur edhe vizionin e partisë që ai drejton. Gjatë emisionit "Sport Debat" në Ora News, ai ka prekur edhe temën e rindërtimit të stadiumit të ri, duke lnë të të kuptohet indirekt se presidenti i FSHF-së dhe qeveria shqiptare, e cila është aksionare me 25 për qind, po bëjnë një gafë që në projekt me "Qemal Stafa"-n.Kreu i PS-së thekson se, nëse ai do të jetë kryeministër pas zgjedhjeve të përgjithshme, do të ndryshojë projektin duke kërkuar që të mos shembet i gjithë stadiumi, por thjesht të rikonstruktohet dhe të sillet në kushtet e kërkuara nga FIFA dhe UEFA."Nëse sipas disa llogarive duhen 20 milionë euro për të rregulluar dhe ristrukturuar terrenet sportive në Shqipëri, atëherë unë pyes: për çfarë duhen 40 milionë euro për të ndërtuar një stadium të vetëm? Për mendimin tim 'Qemal Stafa' është një impiant që ka nevojë për një ristrukturim radikal. Por mos harrojmë që në të njëjtën kohë është edhe një monument kulture. Unë mendoj se me shumë më pak parà ne mund ta ristrukturojmë këtë impiant në kushte komode, pa u dashur që ai të shembet dhe të rindërtohet nga e para. Unë jam kundër projektit që kam parë për stadiumin, pasi mendoj se është një projekt mediokër. Është një projekt, i cili shkatërron një pjesë shumë të rëndësishme të trashëgimisë kulturore të këtij qyteti. Pa dyshim duhet një stadium në kushtet komode, por pa e shkatërruar dhe duke rikonstruktuar atë stadium sikundër e kemi",  ka pohuar Rama.Më tej kreu i PS-së ka folur me tone të ashpra lidhur me gjendjen e futbollit shqiptar në përgjithësi. "Klubet tona sot janë një turp, një mizerabilitet. Janë gropa që thithin parà të taksapaguesve dhe që na kthejnë mbrapsht dhunë, shitje ndeshjesh, dëshpërim dhe mediokritet. Kjo është e vërteta. Ne duhet të shkojmë drejt aksionaritetit, por jo me atë filozofinë e afrimit të atij biznesmenit: që afroje dhe më pas mos merr asgjë. Ose për të shitur ndeshjet dhe të fusësh ca lek në xhep. Aksionariati është i domosdoshëm dhe arsyeja se përse unë kam qëndruar disi larg futbollit ka qenë se nuk kam arritur të gjej veshë për të më dëgjuar se, nëse nuk ndryshojmë sistemin, jemi të dënuar të shpenzojmë paratë e publikut për t'i kthyer pas atij një shfaqje të shëmtuar që na turpëron të gjithëve",  theksoi Rama.Bashkitë Temë e rëndësishme që kreu i PS-së preku gjatë emisionit të mbrëmshëm ishte edhe drejtimi i klubeve nga ana e bashkive. Sipas tij, kjo gjë duhet të ndryshojë menjëherë dhe nuk ka kuptim që kryetarët e njësive të qeverisjes vendore të harxhojnë partë e taksapaguesve për sportin. "Bashkitë në Shqipëri nuk kanë fuqi dhe nuk kanë arsye për ta kontrolluar futbollin. Bashkitë mund të jenë pjesëmarrëse në aksionaritet, por jo të kenë 100 për qind të aksioneve pasi do katandisemi si disa bashki që kryetarët i marrin paratë e taksapaguesve, të cilat i kanë për të ndërtuar rrugë dhe shërbime të tjera dhe ia japin sportit. Sakaq, nëse flasim për privatizim të klubeve, duhet të jemi të qartë se një klub nuk duhet privatizuar për ta zhdukur, siç ndodhi me Partizanin. Pra, duhet të ketë një strategji të mirëfilltë që Partia Socialiste e ka tashmë në programin e saj për sportin", - tha Rama.Kryetari i Partisë Socialiste nuk la pa përmendur edhe bastet që, sipas tij, do pësojnë një ndryshim rrënjësor me ardhjen në pushtet të së majtës që ai drejton. "Ne nuk do t'i ndalojmë me ligj bastet, por me ligj do të sanksionojmë qartësisht se nga të ardhurat prej basteve të përfitojë sporti dhe jo të përfitojnë ata, që falë lidhjeve me kryeministrin sot, nxjerrin parà pa paguar as taksat. Janë rreth 500 mijë euro që nuk derdhen për sportin në një vit dhe nuk kalojnë fare në llogari të sportit. Imagjinoni sikur kjo e ardhur të mblidhej dhe të vihej në dispozicion të sportit. Ne mendojmë se bastet dhe lojërat e fatit në përgjithësi duhet t'i shërbejnë sportit, trashëgimisë kulturore, t'i shërbejnë rinisë. Sakaq, edhe nga pikëpamja organizative e basteve, ne do t'i ndryshojmë rrënjësisht pasi është bërë Shqipëria, në çdo dy hapa ke një pikë bastesh. Atëherë ku do shkojë kjo rini? Ku po i çojmë fëmijët, kur më së pari mësojnë 1X2?" tha Edi Rama."Përjashtim bashkiakëve që dhunojnë"Edi Rama ka prekur edhe dhunën në sport, duke pohuar se PS-ja do përjashtojë këdo, edhe nëse ky është një kryebashkiak i dalë nga kjo forcë politike, nëse ka raste dhune. "Në qoftë se një deputet rreh arbitrin dhe më pas del edhe në konferencë për shtyp dhe tregon se si e rrahu dhe, nga ana tjetër, qeveria e falënderon për këtë gjest, atëherë këtu ka marrë fund çdo gjë. Kjo është pjesë e sistemit dhe këtu unë nuk bëj fare dallime. Cilido qoftë ai që nxit dhunën, për ne është njëlloj, prandaj ne do të vendosim moskandidueshmërinë për Partinë Socialiste të asnjë kryetari bashkie apo deputeti që do implikohet në incidente dhune. Unë kam dalë direkt pas incidentit të përfolur në Kavajë dhe Gramsh dhe e kam dënuar, madje duke kërkuar që nëse ato kishin ndodhur, kryetarët duhej të kërkonin ndjesë. Kjo është ajo çka na diferencon ne nga qeveria. Pra, çdo deputet apo kryetar bashkie që do thyejë këtë pakt, nuk do ketë mundësi as do jetë më pjesë e Partisë Socialiste"."Sporti, sekretariat më vete"Kreu i Partisë Socialiste konfirmoi se edhe ministria që mbulon sportin do ketë ndryshime. Sipas tij do shikohet mundësia që minimalisht sporti të jetë një sekretariat më vete, por pse jo edhe një ministri më vete. "Nuk e di nëse do jetë një sekretariat apo do jetë një ministri më vete, por e sigurt se nuk do jetë sikundër është sot: një apendicit i asaj ministrisë me shumë fjalë", ka theksuar Rama."Taksë progresive sportistëve"Vendosja e taksës progresive kur të jenë në pushtet, ka qenë "kali i betejës" së PS-së gjatë kësaj kohe. Kjo taksë ndërkaq do të prekë edhe sportistët, të cilët në mjaft raste marrin paga shumë të larta (futbollistët). "Taksa progresive do jetë për të gjithë, edhe kur bëhet fjalë për sportistët, por të mos abuzojmë me këtë taksë, sepse kur ajo të vendoset do ketë kritere të veçanta për secilën kategori", - tha Rama.