Blater: Habitem pse Platini është i vetmi që nuk pranon teknologjinë në futboll

Vazhdojnë të jenë evidente polemikat mes dy presidentëve më të mëdhenj të futbollit botëror atij të FIFA-s dhe UEFA-s.Sep Blater ka bërë të ditur se Mishel Platini është i vetmi person i cili është bërë pengesë për përdorimin e teknologjisë së vijës së portës dhe aplikimit të saj në të gjithë botën. Ndonëse organizmi më i lartë i futbollit FIFA ka bërë të ditur se kjo teknologji do të vihet në zbatim në Kupën e Konfederatave dhe më pas në Kampionatin Botëror 2014, Platini mendon se ideja është e gabuar dhe gjithçka mund të zgjidhet nga përdorimi i gjyqtarëve prapa portës."Ndryshimi në opinion nuk është me UEFA-n, është me Platini. Vetëm me Platini!", tregoi Blater për të përditshmen spanjolle "AS". "Federatat, lojtarët, gjyqtarët, të gjithë duan teknologjinë e vijës së portës. Nëse Platini nuk e dëshiron një gjë të tillë, ajo është çështje personale, por edhe ajo do të ndryshojë me kalimin e kohes", shpjegoi Blater.Presidenti i FIFA-s bëri të qartë se ngjarja që kishte ndikuar në vendimin e tij personal për të mbështetur teknologjinë, ishte momenti në Botërorin 2010, kur gjyqtarët nuk akorduan golin e Lampard në ndeshjen mes Gjermanisë dhe Anglisë."Po, atë ditë unë i pashë gjërat me qartësi. Topi kaloi vijën e portës. Pas atij incidenti unë kalova një natë të tmerrshme, isha shumë i zhgënjyer. I thashë vetes: "Nëse gjejmë një sistem të pagabueshëm, një sistem që përjashton 99% të gabimit te goli fantazmë, atëherë do ta pranojmë". Tani kemi shumë sisteme të ndryshme që e bëjnë një gjë të tillë dhe unë habitem pse Platini është kundër", deklaroi Blater.