Skandalet në arsim, Nikolla thotë se do të evitohen nga modernizimi
Vetëm 40 % e mësuesve që ju nënshtruan testimit në portalin “Mësues për Shqipërinë” kanë arritur të marrin kalueshmërinë, duke u bërë pjesë e sistemit arsimor.Shifra u bë publike nga Ministrja, Lindita Nikolla, gjatë takimit të organizuar në Shkoder me mësues dhe Drejtorë shkollash. Nga 5271 kandidatë aplikues në 25 profile, vetëm 2082 kaluan me sukses këtë provim dhe tashmë do të jenë pjesë e stafeve pedagogjike.Kjo shifër sipas Nikollës është shumë larg pritshmërive, duke dëshmuar sipas saj gjendjen në të cilën ishte katandisur arsimi shqiptar.Në këtë takim të emërtuar, “Kapitulli i ri për arsimin” për qarkun e Shkodres, Nikolla prezantoi 3 kandidatët që kanë marrë pikët maksimale, të cilët do të japin mësim përkatësisht në shkollat 9 vjeçare: “Branko Kadija”, “Pashko Vasa” dhe “Isa Jakupi”. Gjithsej konkuruan në Shkoder 303 kandidatë dhe fituan 116.Vende të lira për arsimin fillor në qarkun e Shkodres kanë rezultuar 16 në Pukë, 5 në Malësi të Madhe dhe 3 në qytet.Kryefjalë e kësaj nisme ka qenë dhe mbetet sipas MAS përmirësimi i shërbimit për 532 mijë përfituesit e drejtpërdrejtë në sistemin e arsimit shqiptar dhe ngritjen e një sistemi solid për të tjerët që vijnë.