Alarm fals në Madrid, kutia e dyshimtë panik në një stacion metroje

Një ditë pas alarmit për bombë në Madrid, në zyrat e gazetës më të madhe në vend, "El Pais", një tjetër alarm për lëndë shpërthyese ka bllokuar për rreth një orë metronë e Madridit.Një pako e dyshimtë e lënë mbi një kosh plehrash pranë shkallëve lëvizëse të metrosë, ka bërë që vendi të evakuohet dhe të mbërrijnë menjëherë forcat xheniere dhe skuadra anti-terror.Dyshimet janë rritur edhe më tepër kur qentë e policisë kanë nuhatur pakon për të konfirmuar se kishte lëndë shpërthyese, por agjentët kanë zbuluar se bëhej fjalë për pako me çamçakëza që mendohet të kenë ngatërruar edhe qentë e stërvitur.Gjithsesi, metroja është evakuar dhe aktiviteti është pezulluar për rreth një orë.Spanja dhe gjithë Europa janë në gjendje alerti pas vrasjes së 12 personave të mërkurën në selinë e revistës satirike "Charlie Hebdo" nga dy terroristë.