Reformat, Fleckeinstein takon liderët shqiptarë, të premten para medias
Knut Fleckeinstein, Raportuesi për Shqipërinë në Parlamentin Europian dhe ndërmjetës në zgjidhjen e krizës politike ka nisur takimet në Tiranë me krerët e shtetit.Ai është pritur në mëngjes në një takim nga presidenti Bujar Nishani, ndërsa më pas është ndalur në selinë e kuvendit ku është takuar me kryeparlamentaritn Ilir Metën ndërsa në mesditë ndalon në selinë blu ku do të takojë kryetarin e PD Lulzim Basha.Presidenti theksoi se për Shqipërinë nuk ka asnjë alternativë tjetër ndaj integrimit europian, edhe pse ky është një proces, dhe si i tillë do të marrë kohën e nevojshme për t’u realizuar, të ndihmuar, në partneritet dhe bashkëpunim me Bashkimin Europian.Në kuadër të hartimit të raportit mbi shkallën e realizimit të reformave që ka bërë Shqipëria, që do të miratohet së afërmi në Parlamentin Evropian, biseda u përqendrua në ecurinë e reformës në drejtësi dhe marrëdhëniet ndërinstitucionale.Vizita vjen në kuadër të përgatitjes së progres-raportit për vendin tonë, por edhe për të parë nga afër zbatimin e rezolutës që Kuvendi miratoi në mbyllje të sesionit, marrëveshje që ktheu në Kuvend Opozitën.Fleckeinstein do takohet edhe me zv/kryeministrin Niko Peleshi, Ministrat Ditmir Bushati, Sajmir Tahiri dhe Milena Harito, si edhe me Avokatin e Popullit dhe përfaqësues të institucioneve që merren me luftën kundër korrupsionit, administratën publike, minoritetet, si dhe përfaqësues të shoqërisë civile e medias.Raportuesi për Shqipërinë do të marrë pjesë në tryezën e organizuar me ambasadorët në Tiranë, ndërsa do të ketë edhe një takim me kreun e OSBE-së.Të premten është parashikuar konferenca për shtyp pas takimit që Fleckenstein do të ketë me deputetët Taulant Balla dhe Majlinda Bregu në lidhje me ecurinë e zbatimit të marrëveshjes mazhorancë-opozitë.Raportuesi për shqipërinë në Parlamentin Evropian Knut Fleckenstein do të takohet gjatë vizitës në Shqipëri edhe me familjarë të Aleks Nikës, një prej 4 viktimave të 21 janarit.