Lista e objektivave, ja 11 personat e dënuar me vdekje nga al-Kaeda

Përmes një postimi në rrjetet sociale, al-Kaeda, ka falenderuar dy vëllezërit që kryen vrasjen e gazetarëve të revistës satirike "Charlie Hebdo"."Falenderojmë ata që u hakmorën për Profetin", thuhet në deklaratën e postuar në rrjetet sociale.Por më i frikshëm është postimi i listës së objektivave të organizatës terroriste, ku mbi foton e karikaturistit të “Charlie Hebdo”, Stefan Sharbonie, është vendosur një kryq i kuq për të konfirmuar ekzekutimin e tij."Kërkohen për krime ndaj islamit" titullohet posteri i shpërndarë në gjuhën angleze. Mes 11 personave në listë është edhe politikani konservator holandez, Gert Vilders dhe shkrimtari i famshëm Selman Ruzhdi, mbi të cilin është lëshuar edhe një fatva nga Ajatollahu iranian, Ali Khomenei, për publikimin e romanit "Vargje Satanike" në vitin 1989.Në listë gjithashtu është vendosur edhe karikaturisti danez, Kurt Vestergard, autor i karikaturës së profetit Muhamed me një bombë mbi çallmë, dhe karikaturisti suedez Lars Vilks. Sikurse Sharbonie, edhe Vestergard i kanë mbijetuar disa atentateve dhe jetojnë vazhdimisht në sigurinë e policisë.Të tjerë në listë janë edhe redaktorët e gazetës daneze që i publikoi karikaturat, Karsten Juste dhe Fleming Rouz, prifti amerikan Terri Xhons, që dogji publikisht Kuranin në vitin 2010, si dhe disa personazhe të tjerë që sipas grupimit terrorist kanë ofenduar fenë islame.