Ronaldo: Manchester skuadër e fortë, por ne do ti mundim në "Old Trafford"
Vëmendja e të gjithë tifozëve gjatë natës së mbrëmshme ka qenë te paraqitja e Kristiano Ronaldos në ndeshjen kundër ish-skuadrës së tij dhe portugezi nuk ka zhgënjyer duke dhuruar një spektakël të jashtëzakonshëm sa herë që prekte topin. Ndonëse ndeshja mes Real Madrid dhe Mançester Junajtid përfundoi në barazim 1-1, me portugezin që shënoi për vendasit, ai mendon se gjithçka mbetet e hapur për sfidën e kthimit në Angli."Ne mund të fitojmë në "Old Traford", pasi ndeshja atje do të jetë më e hapur. Edhe pse Mançester Junajtid është një skuadër shumë e fortë në mbrojtje, ne do ju krijojmë probleme të mëdha në ndeshjen e kthimit. Në ndeshjen e parë ne kemi humbur disa raste për gol, por nuk shqetësohemi. Sfida është krejtësisht e hapur", tha ylli portugez i cili më pas shpjegoi edhe vendimin e tij për të mos festuar golin që shënoi."Nuk desha të festoj golin në shenjë respekti, pasi kam luajtur atje për gjashtë vite. Unë u rrita atje dhe kam një dashamirësi të veçantë ndaj Mançester Junajtid", tha Kristiano Ronaldo.Portugezi mori elozhet e rastit edhe nga ish-trajneri i tij, Aleks Ferguson, që ka vlerësuar gjestin që kreu ai në momentin shënimit të golit si dhe sjelljen miqësore të tijën pas përfundimit të ndeshjes kur kishte shkuar për të takuar të gjithë ish-shokët e skuadrës."Fola me të pas ndeshjes, pasi erdhi në dhomat e zhveshjes dhe u ul për të biseduar me djemtë. Ai ka kaluar 6 vite me ne dhe jam shumë krenar se sa është përmirësuar. Unë fillimisht fajësova Evra se nuk u përpoq të ndalte gjuajtjen e tij, por pastaj pashë përsëritjen dhe mu duk vetja pak budalla. Gjuri i Kristianos është thuajse aq lart sa koka e Evra, diçka fenomenale. Nuk mendoj se ndonjë lojtar tjetër në botë mund ta bëjë një gjë të tillë, me siguri jo Mesi", ishte batuta e trajnerit skocez duke dashur të vlersojë potencialin e ish nxënësit të tij.