PSG mund Valencian në "Mestalla", Ibra prish festën e francezve

Mbrëmja e parë e Chempions Ligës për fazën e 1/8, ka qenë një mbrëmje e suksesshme për skuadrat e udhëtuese, pasi edhe skuadra e PSG ka ka hedhur një hap të sigurt drejt kualifikimit që në "Mestaja". Kryeqytetasit francez, kanë marrë një fitore të rëndësishme ndaj skuadrës së Valencias në transfertë, pasi kanë fituar me rezultatin 2-1.Dukej se Ançeloti i kishte ndarë mirë detyrat për skuadrën e tij, duke treguar se e ka marrë seriozisht aktivitetin më të rëndësishëm Europian për klube. Parizienët e kanë nisur mirë ndeshjen duke treguar që në fillim superioritetin ndaj skuadrës Iberike të Valencias.Një kombinim mes argjentinasve Pastore-Laveci, solli golin e parë të PSZH që në minutën e 10-të, duke shfrytëzuar edhe një ndërhyrje aspak të sigurt të portierit Guaita. Më pas, PSZH u kthye mbrapa dhe shfrytëzoi kundërsulmin, i cili ishte vdekjeprurës për skuadrën e Valencias. Golin e dytë për skuadrën e teknikut Italian e shënoi argjentinasi Pastore, në minutën e 43-të pas një asisti perfekt të brazilianit të talentuar Lukas. Pjesa e parë u mbyllë me një fitore bindëse të PSG, ndërsa në pjesën e dytë ra disi ritmi i lojës së miqve, pasi vendasit shtuan presionin duke krijuar një mori rastesh të pastra për gol. Do të vinte minuta e 90, kur mbrojtësi francez i Valencias, Rami, me kokë shkurtoi diferencën duke bërë më pak të hidhur këtë rezultat. Për të ndihmuar disi spanjollët mendoi edhe Ibrahimoviç, i cili bëri një ndërhyrje të ashpër ndaj Guardados dhe u largua me karton të kuq në minutën e 92-të. Ky penalizim i gjigantit suedes, do të thotë një mungesë e rëndësishme për kryeqytetasit në ndeshjen e kthimit që do të luhet në Francë.