Përfundon 1-1 superdueli Real Madrid-Manchester United
Chempions Liga ka vazhduar mbrëmë me dy përballje të tjera të rëndësishme për fazën e 1/8.Supersfida Real Madrid - Manchester United e konsideruar si një finale e parakohshme, ka përfunduar në barazim 1-1. Madrilenët edhe pse konsideroheshin si favorit, nuk kanë arritur të fitonin në fushën e tyre duke rrezikuar eliminimin në ndeshjen e kthimit, pasi në “Old Treford” i pretë një ferr i vërtetë. Ndeshja ka filluar me Realin në sulm dhe me drithërima në portën e Junajtid, ku De Gea arrin të devijojë në shtyllë gjuajtjen e Koentraos. Por ata që shënojnë të parët janë miqtë nga Britania me anë të Uellbek në minutën e 20-të, i cili me kokë dërgon topin në katërkëndëshin e madrilenëve duke i dhënë avantazhin skuadrës së tij. Megjithatë, Reali reagon shumë shpejt dhe gjen golin e barazimit me Kristiano Ronaldon vetëm 10 minuta më vonë. Ashtu si britaniku edhe portugezi kërcen mbi të tjerët duke dërguar topin me kokë në portën e De Geas. Pjesa e parë mbyllet me këtë barazim.Në pjesën e dytë, lojtari më i mirë në fushën e lojës është padyshim David De Gea, i cili neutralizon çdo gjuajtje të kundërshtarëve me saktësi. Ronaldo, Di Maria, Ozil dhe Khedira provojnë me radhë të kalojnë portierin spanjoll, por ai tregon reflekset e tij me pritje të shkëlqyera. Mbi të gjitha spikat pritja me këmbë ndaj Koentraos. Nga ana tjetër, Van Persi nuk shfrytëzon siç duhet rastet për ti dhënë avantazhin skuadrës së tij. Holandezi në fillim godet traversën e Diego Lopez, ndërsa pak sekonda më vonë, i vetëm para portierit, ai gjuan aq lehtë duke i dhënë mundësi Ksabi Alonsos të largojë topin pa kaluar vijën fatale. Në minutat e fundit ish sulmuesi i Arsenal ka një tjetër rast të artë, por kësaj radhe topi i goditur prej tij ndalohet nga portieri Lopez. Edhe pse me raste të shumta për të shënuar, ndeshja mbyllet në barazpeshë duke u dhënë mundësi anglezëve që në takimin e ardhshëm të jenë më të favorizuar për të kaluar në turin tjetër.Në “Old Treford”, madrilenët dhe Mourinho do ta luajnë shanset e fundit për të patur mundësinë e fitimit të një titulli, pasi në rast të kundërt, largimi i portugezit mund të vijë më shpejtë seç mendohej.