Tjetër gol i sulmuesit Sukaj për të treguar formën e tij të shkëlqyer

Sulmuesi shkodran, Xhevahir Sukaj, është sulmuesi më në formë i momentit, pasi ka shënuar një tjetër gol të rëndësishëm për skuadrën e tij, Sepahan, gol i cili ka vlejtur tre pikë dhe vendin e dytë për skuadrën e bomberit shkodran.Sukaj, tregoi edhe një herë se gëzon një formë të shkëlqyer, ndërsa në minutën e 81-të, kur gjithëçka dukej se po shkonte drejt një barazimi të bardhë, arriti ta dërgonte topin në rrjetë, pas një inkursioni në zonë të sulmuesit tjetër, Reza Khalatbari.Ndeshja konsiderohej e vështirë jo vetëm sepse luhej në transfertë, por edhe për faktin se skuadrën, Rah Ahan, e drejton një nga personalitetet më të mëdha të futbollit iranian, Ali Daei. Ky i fundit, pas një karriere të shkëlqyer me kombëtaren iraniane, veshi kostumin e menaxherit dhe të trajnerit. Mjafton të kujtojmë se Daei, është presidenti i kompanisë që furnizon me uniforma pjesën më të madhe të klubeve të futbollit në Iran, si dhe kombëtaren e këtij vendi."Një fitore me vlera të mëdha për ekipin tonë. Tani Sepahan ndodhet në vendin e dytë me dy pikë me pak se rivalja e përjetshme, Esteghal. Të shpresojmë që do mund t'i kalojmë në renditje në javët në vazhdim", shkruante dje në Facebook shkodrani.