Siria: SHBA na njoftoi për sulmet; Rusia: Duhet aprovimi, s’mjafton një letër
Sulmet amerikane në Siri janë kryer pasi janë njoftuar autoritetet vendase. Këtë e pranoi vetë qeveria siriane, e cila tha se kishte marrë një letër nga sekretari amerikan i shtetit, John Kerry, ku njoftohej se SHBA dhe aleatët kishin planifikuar të sulmonin territoret e kontrolluara nga Shteti Islamik."Ministri i Jashtëm mori një letër nga homologu i tij amerikan përmes Ministrit të Jashtëm irakian, në të cilën informoheshin se Shtetet e Bashkuara dhe disa nga aleatët e saj do të godisnin objektiva në Siri", tha Ministria e Jashtme përmes një deklarate në televizionin shtetëror sirian.Vetë qeveria siriane tha se do të vazhdonte të sulmonte nga ana e saj Shtetin Islamik në qytetet Raka dhe Deir al-Zor, në lindje dhe veri të vendit, zona të bombarduara nga amerikanët."Shteti do të vazhdojë të luftojë kundër Shtetit Islamik në bashkëpunim me vende që janë drejtpërdrejt të prekur, si Iraku, në rakordim të plotë me rezolutën 2170 të Kombeve të Bashkuara. Gjithashtu në deklaratë pranohej se Siria do të mbështeste çdo përpjekje ndërkombëtare që mund të ndihmojë në luftën ndaj terrorizmit", tha më tej prezantuesi i televizionit shtetëror.Më parë gjatë ditës, edhe Rusia reagoi për sulmet amerikane në Siri duke thënë se ato duhet të bëhen në bashkëpunim me qeverinë e Damaskut."Çdo veprim duhet të bëhet vetëm në rakordim me ligjet ndërkombëtare", tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme ruse, Aleksandër Lukasheviç."Kjo do të thotë që jo vetëm të njoftohet thjesht me një letër zyrtare qeveria siriane, por të merret edhe aprovimi i drejtpërdrejtë i qeverisë ose i Këshillit të Sigurisë së Kombeve të Bashkuara.Përpjekjet për të realizuar synimet gjeopolitike të një shteti duke dhunuar sovranitetin e një vendi tjetër vetëm sa do të rriste tensionin dhe do të destabilizonte më shumë gjendjen atje", përfundoi Lukasheviç.