Toni Blair: Sulmet ajrore nuk mjaftojnë për të mposhtur Shtetin Islamik

Britani e Madhe- Ish-kryeministri anglez, Toni Blair, është i mendimit se fushata me sulme ajrore që kanë ndërmarrë Shtetet e Bashkuara bashkë me vendet e koalicionit të formuar nuk do të mjaftojë për të mposhtur lëvizjen terroriste të Shtetit Islamik.Blair mendon se ISIS duhet luftuar edhe në terren, por sipas tij më e rëndësishme është që të luftohet ideologjia që përcjell."Presidenti Obama ka absolutisht të drejtë që po kërkon të formojë një koalicion sa më të madh për të mposhtur militantët e ISIS, por mendoj se fushata nuk duhet të kufizohet vetëm me sulme ajrore. Gjithsesi nuk është e sigurt nëse trupat irakiane dhe kurde do të jenë në gjendje që të përballojnë të vetme luftën frontale dhe mund të kenë nevojë për ndihmë", u shpreh Blair.I pyetur nga rrjeti televiziv CNN se pse aq shumë shtetas britanikë zgjidhnin të linin vendin e tyre për t'iu bashkuar Shtetit Islamik, Blair tha se ky ishte një problem për të gjithë shtetet europiane dhe se shumica e muslimanëve ishin të neveritur prej saj."Duhet luftuar ideologjia që ISIS përçon. Shumica e muslimanëve në Mbretërinë e Bashkuar janë absolutisht të tmerruar nga ato që kanë parë dhe e dënojnë sjelljen e tyre. Mënyra se si abuzohet me pengjet dhe ekzekutimi i tyre është i tmerrshëm.Ideologjia e tyre është krejtësisht devijim nga feja islame, por gjithsesi është e fuqishme. Ajo propagandohet jo vetëm nëpër disa xhami dhe medrese të Pakistanit apo Lindjes së Mesme e Afrikës, por edhe në Britaninë e Madhe", tha Blair.