2012, vit i padrejtësive dhe shkeljes së të drejtave

Viti 2012 po ikën dhe një vit i ri do të nisë së shpejti. Viti 2012 ishte viti, gjatë së cilit nuk u shënua përmirësim i lirive dhe të drejtave jetike të shtetasve, por ato u kufizuan dhe bashkë me këtë tendencë, varfëria e pabarazia u thellua. Shumë ligje u miratuan në parlament, disa prej të cilave përbëjnë një bazë ligjore për të përmirësuar të drejtat e shtetasve, ligje të tjera i kufizuan ato. Gratë, fëmijët, personat me aftësi të kufizuar, të papunët, persona të moshës së tretë, familjet rome dhe egjiptiane përjetojnë pabarazi dhe diskriminim në rritje. Fëmijë në zonat urbane dhe rurale nuk mund të shkojnë në shkollë, duke rritur ushtrinë e analfabetëve dhe të papunëve. Në rrugët e kryeqytetit dhe zonave të tjera urbane, shihen gra dhe fëmijë që kërkojnë lëmoshë për të jetuar, ndonëse prej 2 vitesh është miratuar ligji për mbrojtjen e fëmijëve. Viti 2012 është viti gjatë të cilit gra, nëna dhe vajza u dhunuan fizikisht e u vranë barbarisht, si rrjedhojë e krimit në familje, duke regjistruar numrin më të lartë të vrasjeve të grave në familje. Të tjera gra dhe vajza nuk patën guximin të ngrenë zërin ndaj dhunës dhe të përfitojnë mbështetje sociale, psikologjike,ekonomike nga institucionet e ngarkuara me ligj. Në fund të këtij viti, lista e familjeve që marrin me listë bukën e përditshme është shtuar, jo vetëm në dyqanet ushqimore dhe të bukës, por edhe në ato të barnave dhe të shërbimeve të tjera. Shumë qytetarë janë viktima të shumëfishta të shkeljes së drejtave elementare të jetesës, për faktin pse përbëjnë një shtresë sociale në nevojë, se janë kryefamiljarë dhe përfaqësues të minoritetit rom ose egjiptian. Persona me aftësi të kufizuar humbën ato pak të drejta ekonomike dhe sociale që ligji i jepte si një kompensim modest për të jetuar disi më mirë. Ky përkeqësim u bë falë ndryshimit të ligjit për kompensimin e shpenzimeve, i miratuar vetëm me votat e mazhorancës, i cili kufizua pagesat modeste që personat me aftësi të kufizuar përfitonin. Edhe ai pak rimbursim që personat me aftësi të kufizuar marrin, nuk u mundëson atyre të jetojmë në kushte normale, të paguajnë faturat e energjisë, të ujit dhe jo më të paguajnë ilaçet dhe shërbimet sociale të nevojshme. Sikur të mos mjaftojë kjo, shumë prej tyre nuk kanë marrë ose marrin me vonesë pagesat e paaftësisë së tyre. Sot, personat e moshës së tretë, personat me sëmundje kronike të moshës ose me sëmundje të tjera paguajnë me shtrenjtë shërbimet shëndetësore dhe medikamentet për shkak të rritjes së taksës dhe hedhjes me forcën e kartonit të mazhorancës së propozimeve të opozitës për të ulur taksën 10 përqind të shtuar. Një kapitull i dhimbshëm të këtij viti përbëjnë përpjekjet për të fituar të drejtat e tyre të cenuara, ish të përndjekurit politikë, të cilët sikurse në vitet e diktaturës u përballën me shpërfilljen, injorimin dhe cenimin e të drejtave të tyre, ndërkohë që një kategori tjetër e shoqërisë, që jeton në pronat e ish-pronarëve, ndonëse kanë paguar për vite të tëra qira, flaken në rrugë në emër të kthimit të pronës te ish pronarëve. Ndërkohë, shumë pasuri publike janë shitur për hiçgjë dhe për interesa klienteliste. Shqiptarët meritojnë një qeverisje më të mirë, një jetë më të mirë dhe me dinjitet! Uroj që viti 2013 të afrojë një shtet social, një shoqëri të rilindur, ku liritë dhe të drejtat e shtetasve të jenë parësore! Uroj që viti 2013 të ofrojë një jetë më të mirë dhe me dinjitet për të gjithë shqiptarët, por në mënyrë të veçantë për të gjitha grupet sociale në nevojë! Shqiptarët e meritojnë një rilindje shqiptare pas 100 viteve të pavarësisë së shtetit shqiptar, duke hapur një kapitull të ri si vend kandidat i Bashkimit Europian!Burimi : Shekulli.com.al