METE reagon pas deklaratës së Ramës: Anulimi i privatizimit, shantazh ndaj biznesit

Deklarata e shefit të opozitës Edi Rama gjatë bashkëbisedimit me gazetarët lidhur me situatën ekonomike në vend ka sjellë reagimin e menjëherëshëm të Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës. Në një deklaratë për mediat, METE shpreh keqardhjen për qëndrimet emocionale dhe mungesën e plotë të informacionit të kryetarit të PS në deklaratën e tij të fundit për shtyp përsa i përket situatës në disa sektorë të ekonomisë së vendit.“Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës shpreh keqardhjen dhe zhgënjimin për qëndrimet emocionale dhe mungesën e plotë të informacionit të kryetarit të PS, z. Edi Rama në deklaratën e tij të fundit për shtyp përsa i përket situatës në disa sektorë të ekonomisë së vendit. Z. Rama duhet të dijë se menaxhimi dhe privatizimi i disa aseteve publike në sektorët strategjik, siç janë energjetika dhe hidrokarburet, shumë prej të cilave të filluara nga qeverisja socialiste, janë bërë në bazë të ligjeve të këtij vendi dhe në përputhje me standardet më të mira ndërkombëtare. Fakt është që privatizimet e Albpetrolit dhe 4 HEC-ve Bistrica 1 dhe 2, Ulza dhe Shkopeti janë bërë në transparencë maksimale dhe përpara kamerave e publikut”, thuhet në deklaratën e METE.Sa i përket paralajmërimit të kreut të PS-së se nuk do të njohë privatizimin e 4 HEC-eve, METE deklaron se ky është një shantazh ndaj biznesit.“Aktualisht jemi në fazën përmbyllëse të këtyre proceseve dhe METE ka qenë në kontakt të vazhdueshëm me opinionin publik. Vlerësojmë se thirrje të tilla si ato të kryetarit të PS për anulimin e proceseve të privatizimit janë presion i drejtëpërdrejt ndaj klimës së biznesit dhe shantazh ndaj investitorëve të huaj. Ndërkohë që çdo parti politike e ka detyrim të jetë konstruktive ndaj biznesit dhe investitorëve për të kontribuar në një klimë sa më të favorshme dhe të sigurtë të aktivitetit të tyre. METE do të vazhdojë të jetë krejtësisht e hapur dhe transparente në veprimtarinë e saj për menaxhimin e sektorëve të ekonomisë si dhe në privatizimin e aseteve publike me qëllim që të kontribuohet sa më shumë për rritjen ekonomike të vendit dhe mirëqenien e qytetarëve shqiptare”, përfundon METE.