2012, Spahia: U përmbyll cikli i rivlerësimit i figurës së Mbretit Zog, në zgjedhje me PD

100 vjetori i pavarësisë së Shqipërisë dhe themelimit të shtetit shqiptar përmbylli ciklin e rivlerësimit të figurës së Mbretit Zog I, duke i dhënë vlerat e merituara, të mohuara që nga 1939. Përfaqësuesi i familjes mbretërore, kreu i Partisë Lëvizja e Legalitetit Ekrem Spahia shfrytëzoi ekranin e RTV Ora News në këtë fundvit për të falenderuar qeverinë dhe historianët, te cilet hodhën dritë mbi figurën e Mbretit Zog.“Viti 2013 ka qenë një vit i rëndësishëm për vendin, legalistët janë të lumturuar për veprimtaritë në kuadër të 100 viteve shtet, u mbyll cikli i rivlerësimit të figurës së Mbretit që prej 1939. Ne shprehim mirënjohje ndaj qeverisë dhe historianëve që hodhën dritë mbi figurën dhe rolin e Mbretit Zog në historinë e Shqipërisë. Ajo shtatore ka qenë e planifikuar të vendosej para 28 nëntorit, për arsye teknike u shty dhe u vendos në një datë të rëndësishme, në 85 vjetorin e triumfit të legalitetit. Është vlersuar gjithashtu figura madhore e Jabaz Kupit. Pra 100 vjetori përvec festimeve madhështore vlerësoi dhe figurat historike ndër vite” tha ai.Spahia e ka një përgjigje dhe për akuzat e partive politike kundrejt figurës së Zogut, ku sipas tij kjo bëhet me qëllimin për të shkuar indirekt tek vlerësimi i figurës së Enver Hoxhës. E duke mbetur në këtë pikë, Spahia justifikon edhe qëndrimin e LSI-së për këtë cështje, por ndjen keqardhje që s’morën në mbrojtje dhe Fan Nolin.“Ajo parti që e ka sulmuar për 45 vjet vazhdon ta sulmojë, duke shtuar dhe akuza të reja nga ’90 për vrasjen e Shote Galicës. Pas vdekjes se Azem Galicës dhe ardhjes së saj në Shqipëri Zogu i ka dhënë tokë dhe napolona, ashtu si dhe shumë kosovarëve të tjerë. Sic e dimë ajo ka vdekur për shkaqe natyrale. Po kështu patëm një vizitë të nipit të Hasan Prishtinës që sqaroi një konflikt të vjetër, duke hedhur poshtë cdo akuzë për përfshirjen e Mbretit Zog në vrasjen e Hasan Prishtinës. Për inerci këta vazhdojnë me akuzat për të dalë tek figura e Enver Hoxhës. Ne nuk pretendojmë që LSI është një parti e djathtë, ajo pretendon se është një parti ideologjike e majtë. Më vjen keq që se morën në mbrojtje dhe Fan Nolin për idetë e tij të majta, madje bolsheviste. Duhet falenderuar Kryeministri për nismat e marra dhe kostot gjithashtu. Kontribut ka dhënë dhe Instituti i Historisë dhe historianët, por ka dhe pseudohistorianë që kanë ngelur në ‘90, ndoshta kjo është edhe ajo që i dekurajon të kërkojnë falje për ckanë shkruar atëherë” u shpreh Spahia.Kreu i PLL ka mohuar gjithashtu akuzat ndaj Kryeministrit Berisha, se po e përdor figurën e Zogut për vota elektorale, duke u shprehur se për vite me radhë Berisha i ka pasur  të sigurta votat e legalistëve. Në këtë kontekst ai deklaroi se e njëjta qasje do të vijojë edhe në 2013, ku PLL do të jetë pjesë e parteritetit të PD.“Kam dëgjuar nga subjekte të ndryshme që këto  vlerësime Kryeministri i ka bërë për të marrë disa vota nga legalistët, duhet të jemi të qartë se Kryeministri i ka pasur këto vota, ne jemi parti e djathtë dhe do vazhdojmë të jemi edhe në zgjedhjet e ardhshme, sepse është koalicioni që ka kontribuar më shumë për vendin. Është alternativa jonë dhe ajo e majtë që konsiderohet terësisht me pikëpamje enveriste dhe shqiptarët janë të prirur të shohin interesat e tyre. Këtë qeveri  do ta votojnë jo vetëm për cka bërë  për 8 vite, por cdo të bëje edhe për 4 vitet e ardhshme. Ky koalicion është një moazaik kontributesh të forcave politike. PLL në zgjedhjet 2013 do të ketë përfaqësimin e saj parlamentar dhe në qeverisje për të kontribuar  në zhvillimin  e vendit” u shpreh ai.Ndërkaq në cilësinë e zëvendës.Ministrit të Mbrojtjes, zoti. Spahia e ka vlersuar pozitiv bilancin e ecurisë së projektit për demontimin e municioneve të tepërta të Forcave të Armatosura. Tashmë puna për demontimin e municioneve të tepërta është e përqëndruar në rrugë industriale , theksoi Spahia, dhe brenda 6-mujorit të parë të vitit 2013 do të mbyllet përfundimisht procesi i asgjësimit të municioneve të tepërta, duke shënuar edhe realizimin e këtij objektivi madhor për Forcat tona të Armatosura.  Në këtë mënyrë, shtoi më tej ai, MM realizon të gjitha objektivat e shtatorit 2009, duke u bërë institucioni i parë i integruar në Europë, kjo edhe në kuadër të përfshirjes së saj në Aleancën e Atlantikut të Veriut. Në përfundim të intervistës me drejtorin e Informacionit Patrik Sadikaj, kreu i PLL uroi  teleshikuesit e Ora News për festat e fundvitit.