Partizani, prezantohet trajneri Duro: Dua titullin kampion
Para dy ditësh klubi i Partizanit, njoftoi se 54-vjeçari Shpëtim Duro ka arritur marrëveshjen me presidentin Gaz Demi dhe ai do të drejtojë të kuqtë e kryeqytetit në tre sezonet e ardhshme. Ish-trajneri i tetovarëve vendosi që karrierën ta vazhdojë te skuadra e zemrës dhe një nga arsyet për këtë zgjedhje ka qenë se Shpëtim Duro do të jetë më shumë se një trajner i të kuqve të kryeqytetit.Përveç rolit të përgatitësit dhe drejtuesit të ekipit në stërvitje dhe aktivitet, do të kryejë edhe detyrën e menaxherit të përgjithshëm të ekipit. Kjo marrëveshje është arritur mes presidentit Demi dhe Shpëtim Duros, i cili nuk do të jetë thjesht trajner te Partizani, por edhe përgjegjës për merkaton e skuadrës. Ai u prezantua sot gjatë drekës së bashku me dy futbollistët e rinj, Batha dhe Fejzullahu. Duro deklaroi se objektivi i tij kryesor me Partizanin do të jetë fitimi i titullit kampion. Trajneri Duro te Partizani do të marrë edhe ndonjë element nga kuqezinjtë e Shkëndijës së Tetovës pasi ai pëlqen shumë futbollistë tek ky ekip.