Mbrëmja NBA. Miami thyen sërish Indianën

Miami Heat është vetëm një hap larg finales së katërt radhazi në NBA. Skuadra nga Florida ka mposhtur mbrëmë në “ American Airlines Arena “ Indianën me rezultatin 102 – 90.Protagonisti kryesor për Miami-n si gjithnjë ishte Lebron James me 32 pikë të shënuara. Tashmë Heat-sat kryesojnë e dërgojnë serinë në 3-1 dhe i mjafton vetëm një fitore për të kaluar në finalen e madhe të NBA.

Dominim absolut i skuadrës së Spolestra-s në këtë takim të 4-ët të finales së konferencës së lindjes. Miami e kontrolloi ndeshjen nga fillimi deri në fund ku për një moment diferenca mes tyrë arriti deri në +23 për Heat-sat. Shumë e vështirë për skuadrën e Franck Vogel të ndalonte një LeBron James në formë të tillë. Basketbollisti nga Ohio ishte dominues absolut i takimit jo vetëm për pikët e shënuar por edhe për lojën e shkëlqyer në mbrojtje, në fund edhe topat në tabelë të kapur nga James ishin 10. Një ndihmë yllit të Miami-t ja dha edhe Chris Bosh i cili e mbylli takimin me 25 pikë të realizuara.

Nuk i mjaftoi Indianës paraqitja e mirë e Paul George e David West autor respektivisht të 23 dhe 20 pikëve. Plotësisht jashtë formë ylli tjetër i skuadrës nga Indianapolis Roy Hibbert i cili nuk arriti të realizonte asnjë pikë në këtë takim.Tashmë kalimi i Indianës në finalen e madhe është një mision i pamundur edhe për vetë faktin se Miami në 4 vitet e fundit kur i është dashur fitorja në takimin e 5-të për ta mbyllur serinë e ka arritur gjithmonë atë.

Ndeshja e radhës do të zhvillohet të mërkurën në “ Bakners Field House” të Indianës.