Filippo Inzaghi një rikthim i ëmbël për të gjithë tifozët e Milanit
Kësaj radhe gjithçka u konkretizua, Filippo Inzaghi do të jetë trajneri i ardhshëm i Milanit. U përfol edhe vitin e shkuar dhe në janar gjithashtu por tashmë ish-numri 9 i kuq e zinjve do të marrë drejtimin e stolit të 7 herë kampionëve të Europës.Adriano Galliani e dëshironte në pankinën e skuadrës që në Janar por në atë kohë presidenti Berlusconi vendosi veton duke emëruar Seedorf si trajner të kuq e zinjve, por tashmë fjala e administratori të deleguar të Milanit është dëgjuar dhe duke filluar nga Korriku Inzaghi do të zbres në " Milanello " si trajner i skuadrës së parë.
Historia mes Superpippo Inzaghi-t dhe Milanit nisi në vitin 2001 kur kuq e zinjtë kaluan në llogaritë e Juventusit plot 70 miliardë nga liretat e dikurshme për ta sjellë sulmuesin italian në " San Siro ". Lidhja e ngushtë mes djaloshit nga Piacenza dhe klubit kuq e zi u pa që në sezonin e parë ku golat e Superpippos e ndihmuan atëherë skuadrën e Ancelottit të kualifikohej për në Ligën e Kampionëve, Champions që një vit më pas Milani arriti ta fitoj duke mundur pikërisht ish-skuadrën Inzaghit Juventusin duke i dhuruar edhe sulmuesit një hakmarrje personale ndaj bardh e zinjve.
Superpippo ka qënë gjithnjë në zemrat e të gjithë tifozëve milanist, për faktin e vetëm se ai në fushë jepte gjithçka, luftonte në çdo aksion si të ishte i fundit dhe në takimin përballë Novarës ku Inzaghi i dha lamtumirën futbollit tifozët kuq e zi e duartrokitën edhe më shumë se një prej legjendave të Milanit Paolo Maldini.Tashmë 40 vjeçari do të ulet në stolin e skuadrës së tij të zemrës duke pasur edhe një herë mbështetjen e të gjithë ambientit milanist.
Nga ana profesionale mbetet akoma gjithçka për tu vërtetuar, tek të rinjtë Inzaghi ka bërë mirë por të drejtosh një skuadër me emër të madh si Milani është totalisht diçka tjetër, ndërsa i sigurt është motivimi dhe grinta që Superpippo do të ketë si trajner i 18 herë kampionëve të Italisë, pasi karakteri i një njeriu nuk ndryshon pavarësisht punës që ai bën.