Barbara Berlusconi: Milani do të rikthehet shumë shpejt në nivele të larta

Administratorja e Milanit, Barbara Berluskoni, ka folur për mikrofonat e "Sky" në lidhje me objektivat e Milanit. Ajo premtoi se kuqezinjtë do të rikthehen shumë shpejt në nivele të larta."Sezoni që sapo u mbyll ishte shumë zhgënjyes për ne dhe menjëherë duhet t’i përvishemi punës për ta ringritur Milanin ku i takon të qëndrojë. Mendoj se me një projekt ambicioz dhe me një rrjetë vëzhguesish në të gjithë botën, mund të marrësh rezultate të mira në të ardhmen, këtë projekt ka ndjekur Atletiko Madrid, këtë do të ndjekim dhe ne.“Familja ime e dashuron Milanin dhe nuk do mungojë impenjimi nga ana jonë. Kemi vendosur të investojmë në sezonin e ardhshëm për të mbuluar boshllëkun që kemi me rivalët tanë dhe do të hapim një cikël të ri fitues. Objektivi që kemi në mendje është të strukturojmë klubin dhe të bazohemi te lojtarët e rinj. Familja ime nuk ka menduar kurrë që të heqë dorë nga Milani dhe impenjimi ynë nuk ka munguar në këto 28 vite”. -tha Barbara, duke lënë të kuptohet se Milani do të jetë një nga ekipet më aktive në këtë merkato