Përballje titanësh

Finalja e sotme e Ligës së Kampionëve do të shohë përballë dy skuadrat më të mira të sezonit në Champions, jo vetëm kaq por përballë do të jenë disa nga lojtarët më me vlerë në futbolli botëror. Do të ketë sfida brenda sfidës duke filluar nga porta për të përfunduar tek reparti i avancuar.

Casillas përballë Courtois. Casillas është prej vitesh një ndër më të mirët në rolin e tij. Spanjolli ka arritur të fitojë gjithçka në karrierën e tij duke përfshirë edhe dy Champions por pa diskutim që fitimi i trofeut të 10-të është diçka që Iker e kërkon me ngulm. Të gjithë e kujtojnë finalen e Glasgow-t kur Casillas hyri në lojë vetëm në pjesën e dytë përballë Leverkusenit por me pritjet e tij i dha trofeun e 9-të madrilenëve. Courtois është një ndër portierët më të talentuar në botë. Këtë sezon ai pësoi më pak gola se kushdo në la liga duke qënë vendimtar në triumfin e Atletico-s. Fitimi i Ligës së Kampionëve do të ishte dhurata më e mirë që belgu mund ti bëj tifozëve të Atletico-s së Madridit përpara se të transferohet në Londër.

Në mbrojtjet respektive janë Sergio Ramos dhe Diego Godin që me ndërhyrjet e tyre kanë qënë shpesh herë deçiziv. Dy lojtarët e prapra vijës jo vetëm që kanë treguar përgjatë gjithë sezonit se janë të aftë të bllokojnë çdo kundërshtar në shumë raste kanë qënë vendimtar edhe me golat e shënuar. Ramos mposhti thuajse i vetëm Bajernin e Mynihut në Allianz Arena ku shënoi një dopjetë ndërsa Godin shënoi golin e barazimit në Camp Nou duke i dhuruar skuadrës së Simeones titullin kampion në “ La Liga “

Në mesfushë përballë njëri-tjetrit do të jenë Luca Modric dhe Koke. Kroati është një lojtar me cilësi teknike të mrekullueshme. Mourinho e solli në Madrid por ishte Ancelotti që e bëri të luante në mënyrë të shkëlqyer. Pas një karriere jo nën dritën e reflektorëve ndoshta ka ardhur koha që dhe Modric të ngjitet në skenë si protagonist, nag ana tjetër ndodhet një prej talenteve më të mëdha të futbollit spanjoll. Koke nuk është një mesfushor që shënon shumë por ajo ç’ka ai i jep skuadrës është vendimtare për lojën e Simeones. 22 vjeçari u shpall kampion europe me kombëtaren e 21 vjeçarëve dhe tashmë është gati të fitojë Ligën e Kampionëve e më pas të udhëtoje drejt Brazilit me përfaqësuesen spanjolle.

Në fund përballja më e fortë e kësaj finaleje të madhe. Cristiano Ronaldo vs Diego Costa. Një sezon i ngjashëm për të dy yjet e skuadrave respektive. Vit fantastik për portugezin, gola spektakolar, lojë e një niveli super të lartë dhe në fund dëmtime kryesisht të ardhura nga ritmi i lartë me të cilin ai lujati përgjatë gjithë kohës. E njëjta gjë për Diego Costën. Surpriza e sezonit për Atletico-n pas largimit të Falcao-s. I fuqishëm në zonë, gola vendimtar, formë e shkëlqyer dhe në fund dëmtime muskulare të ardhur nga mbi ngarkesa e madhe e sezonit. Shpresojmë që në finalen e madhe të dy të jenë në formën e tyre më të mirë.