"Paketë" e Partizanit, mer Idi Bathën dhe Fejzullahun, pritet dhe trajneri Duro
Partizani ka bërë goditjen e parë në këtë merkato verore. Të kuqtë e kryeqytetit kanë bërë për vete dy futbollistë të Besës, mesfushorin Idriz Batha ( vjen i huazuar nga Teuta ) dhe mbrojtësin Arbnor Fejzullahu. Të dy këta futbollistë janë edhe pjesë e ekipit kombëtar Shpresa.Pasi ka nisur me rinovimet e futbollistëve më të mirë të sezonit të kaluar, tashmë drejtuesit e klubit të kuq kalojnë në sulm, duke mposhtur konkurrencën e Skënderbeut, Kukësit dhe Tiranës për blerjen e dy futbollistëve të Besës.Ajo që bie në sy është mosha e futbollistëve, pasi Batha është 22 vjeç dhe Fejzullahu 21, duke konfirmuar projektin e Partizanit që sheh edhe drejt të ardhmes. Presidenti Gaz Demi ka deklaruar se do të punojë për të ndërtuar një ekip të fortë. Gjithashtu shumë shpejt pritet edhe përgjigjja zyrtare e trajnerit Shpëtim Duro, i cili me shumë mundësi do të jetë pjesë e Partizanit, duke marë drejtimin e stolit.