Paul Pogba tek Real Madrid pas finales së Championsi-t

Reali i Madridit ka vendosur të përforcojë mesin e fushës dhe dihet tashmë prej kohësh se objektivi kryesor i madrilenëve është lojtari i Juventusit Paul Pogba.

Mediat spanjolle raportojnë se 21 vjeçari ka dhënë gatishmërinë e tij për tu transferuar tek galaktikat. Kontaktet mes të dyja skuadrave tashmë kanë filluar. Pogba ka një kontratë me Juventusin e cila skadon në vitin 2016 dhe deri më tani francezi ka refuzuar ta rinovojë atë. Mësohet se klubi madrilen ka vendosur të përgatisë sulmin final për të marrë shërbimet e francezit menjëherë pas përfundimit të finales së Ligës së Kampionëve.

Me sa mësohet nga mediat spanjolle klubi kryeqytetas është gati të kalojë në llogaritë e Juventusi-t 40 milion euro, por klubi torinez nuk pranon më pak se 50. Nuk përjashtohet mundësia që klubi mbretëror të përfshijë në bisedime edhe ndonjë lojtar ku emri më i përmendur është ai i Alvaro Moratës, pasi iberiku pëlqehet shumë nga trajneri Antonio Conte.

Për Pogba-n kanë shfaqur më parë interes edhe Manchester City, PSG dhe Manchester United po me sa duket dëshira e talentit francez është të veshë fanellën e ‘ los blancos ‘. Madrilenët kanë ndjekur edhe mesfushorin tjetër të Juventusit Arturo Vidal por nëse Pogba largohet atëherë është e sigurt që kileni do të vazhdoj të qëndrojë në Torino. Na duhet të presim mbarimin e Ligës së Kampionëve për të parë nëse me të vërtetë Reali do të fokusohet seriozisht tek blerja e Paul Pogba-s apo spekulimet që vijnë nga Spanja do vazhdojnë të mbeten të tilla.