Barcelona nga sezoni dëshpërues te rinovimet dhe blerjet e nevojshme

Për pjesën më të madhe të dekadës që kaloi, Barcelona luajti një futboll që pjesa më e madhe e botës vetëm e admironte. Futbollistët dhe loja e saj ishin në zemër të ekipit kombëtar të Spanjës, që pushtoi botën. Por, ka disa kohë që kritikët e Barçës po thonë se tiki-taka, stili i pasimeve dhe zotërimit të topit është shfuqizuar.Në të vërtetë, Barcelona është kaq e varfër tani, sa përfundoi e dyta në La Liga, pas Atletikos së Madridit. Presidenti i klubit dha dorëheqjen në fillim të këtij viti. Yjet e sulmit të skuadrës, Lionel Mesi dhe Neimar ishin në qendër të hetimeve ligjorë për financat e tyre.Qendërmbrojtësi tashmë legjendë i skuadrës, Pujol nuk mundi as të vërë këmbë në fushë për pjesën më të madhe të sezonit. Portieri Viktor Valdez, edhe ai i dëmtuar, ka deklaruar tashmë se do të largohet për një përvojë të re, ndoshta tek Monako. Tito Vilanova, ish traineri që së bashku me Pep Guardiolën sollën filozofinë e klubit, nga akademia në ekipin e parë, vdiq nga kanceri përpara se të mbaronte sezoni. Zëvendësuesi i tij, argjentinasi Tata Martino nuk u pranua nga shumëkush në media për arsye se rrënjët e tij nuk ishin katalanase. Dhe FIFA e ndaloi ekipin që të firmosë me lojtarë të rinj, për arsye se Barça akuzohet se ka shkelur rregullat në blerjen e lojtarëve të rinj.

Nëse Barcelona do të duhej të zbatonte ndonjëherë moton e saj 'Më shumë se një klub', atëherë momenti është pikërisht tani. Të hënën, 48 orë pasi Atletiko i mori Barcelonës titullin e la Ligas, klubi katalan bëri dy njoftime. Njëri ishte që Messi po firmoste një kontratë të re që e mban lidhur me klubin deri në vitin 2018. Tjetri ishte që Luis Enrique, ish futbollist i Barçës dhe ish trainer i ekipit Barcelona B, do të bëhet traineri i ri i skuadrës. Mbërritja e Enrikes nuk ishte surprizë për ata që janë brenda "Camp Nou"-t. Ka shumë ngjashmëri mes tij dhe Guardiolës, i cili është i lidhur ngushtë me stilin tiki-takaNdalimi i FIFA-s për blerjen e lojtarëve kur të hapet merkato në qershor është pezulluar, në pritje të apelit. Drejtori sportiv i Barcelonës, Andoni Zubizareta ka firmosur një marrëveshje për pasardhësin e Valdezit: Mark Andre Ter Shtegen, portieri 22-vjeçar i Borusia Mynqengladbahut.

Barça ka rikthyer dy prej lojtarëve të saj të rinj, Rafinjan dhe Deulofeun, që ishin huazuar tek Selta Vigo dhe Evertoni. Do të duhet të zgjidhë problemin e humbjes së liderit Pujol. Havi Martinez, mbrojtësi spanjoll që luan tek Bajerni i Mynihut është një mundësi. Pritet edhe një përpjekje tjetër për të blerë brazilianin Thiago Silva.