Magani: Qëndroj tek Tirana nëse drejtuesit garantojnë investime
Drejtuesit e Tiranës, i kanë kërkuar Gugash Maganit që të nisë nga puna dhe të përcaktojë idetë për ekipin e sezonit të ri. Madje, lajmi më i mirë lidhet me rinovimet, pasi 80% e ekipit nuk ka firmosur për sezonin e ardhshëm. Trajneri i ka idetë e qarta për atë çka synon në krye të Tiranës dhe vetëm pasi të marrë OK-in nga drejtuesit që Tirana do të investojë në ndërtimin e një ekipi pretendent, atëherë do të nisë nga puna. Menaxheri i klubit të Tiranës është duke punuar për të përzgjedhur elementë cilësorë në merkato, që më pas do të shihen dhe nga Magani. Por kjo nuk do të thotë që do lihen pas dorë lojtarët aktualë. Magani është shprehur se i pëlqen puna në krye të bardhebluve por më parë duhet zgjidhur problemi i projektit për të ardhmen, pasi trajneri nuk ka aspak dëshirë të qëndrojë tek ky ekip nëse synohet përsëri mbijetesa.