Cristiano Ronaldo nuk do të stërvitet deri të premten

Real Madridi dhe Atletico po i drejtohen finales së Ligës së Kampionëve me plot dyshime. Nëse nga një anë Diego Simeone me shumë mundësi do të jetë i detyruar të heqë dorë nga sulmuesi kryesor i skuadrës së tij Diego Costa nga ana tjetër Carlo Ancelotti nuk është akoma i sigurt nëse fituesi i topit të artë Cristiano Ronaldo do të jetë 100 % gati për finalen e Lisbonës.

Trajneri italian ka menduar ti japë dy ditë pushim Ronaldos me qëllim që portugezi të këtë mundësinë të rikuperohet sa më mirë nga problemet në gju dhe nga mbi-ngarkesa muskulore e cila është normale pas një sezoni të luajtur në nivele stratosferike nga Ronaldo.

Italiani ka bërë të ditur se numri 7 i Realit do të pushojë deri të ënjten ndërsa të premten do ti bashkohet skuadrës në stërvitje për të qënë i gatshëm për një nga përballjet më të rëndësishme të historisë së klubit legjendar spanjoll.

Real Madridi ka vite që kërkon trofeun 10-të në Ligën e Kampionëve dhe këtë vit është më afër se kurrë këtij objektivi, për këtë duhet që Cristiano Ronaldo të jetë në formën më të mirë të mundshme pasi galaktikët pa portugezin nuk janë e njëjta skuadër.Luzitani luajti vetëm 8 minuta kundër Valladolidit ndërkohë që nuk u aktivizua për asnjë minutë në përballjet me Celta Vigon dhe Espanyolin, ndërkohë në dyshim për finalen e madhe janë edhe Pepe e Benzema, me këtë të fundit që pritet të jetë i gatshëm për të shtunën në mbrëmje.