Ambasadori i OSBE: Llalla të drejtojë Prokurorinë si ILDKP

Duke i kërkuar pavarësi në drejtimin e Prokurorisë së Përgjithshme, Ambasadori i OSBE Eugen Wollfart e konsideron zbardhjen e ngjarjes së 21 janarit, sfidën e parë për Adriatik Llallën.Në një intervistë ekskluzive për Ora News, kreu i prezencës së OSBE në vendin tonë thoë se drejtësia duhet të veprojë shpejt e të hedhë dritë mbi të vërtetën e 4 të vrarëve të vitit të shkuar.Duke vlerësuar me nota pozitive punën e Ina Ramës në krye te organit të akuzës, ambasadoi Wollfart sqaron edhe deklaratën e tij mbi kohën kur duhet të mbaronte mandati i ish. Prokurores.Ambasadori pronocohet për Ora News në një moment kritik për Shqipërinë, pikërisht në ditën që vendi ynë u refuzua për herë te 3 në dhënien e statusit. Apeli i tij është një dhe i vetëm, klasa politike të luajë si një ekip nëse do të arrijë sukses në rrugën integruese.Intervista e plotë vijon si më poshtë:Z. Ambasador, një ditë më parë z.Adriatik Llalla i cili u votua vetëm me votat e maxhorancës në një votim ku opozita abstenoi, ka marrë detyrën zyrtarisht nga ish-prokurorja tashmë, znj. Ina Rama. Cili është vlerësimi juaj për z. Adriatik Llalla në krye të Prokurorisë së Përgjithshme?Ambasadori Wollfarth: Së pari, lejomëni të uroj z. Adriatik Llalla për këtë detyrë shumë të lartë e të rëndësishme. Sikurse e thatë, ai e mori detyrën dje. Sot është dita e tij e parë e plotë në këtë post dhe, me këtë rast, dua t'i uroj shumë suksese në këtë detyrë të lartë. Është një detyrë sfiduese. Ai mori besimin e parlamentit, ku shumica e deputetëve votuan për të. Ai ka një të shkuar të shkëlqyer, si dhe ka përvojë në luftën kundër korrupsionit, e cila, në shumë raste, ka lidhje edhe me krimin e organizuar dhe keqbërje të tjera. Kjo është një bazë që duhet të mundësojë bërjen e një pune të shkëlqyer në të ardhmen. Ky pozicion është shumë i veçantë. Ai duhet të jetë gjithmonë i pavarur, bazuar në shtetin e së drejtës, duke filluar me Kushtetutën dhe të gjitha ligjet në fuqi, në një mjedis ku shumë sfida vijnë thuajse nga të gjitha anët. Pra, lejomëni t'i uroj shumë suksese, në mënyrë të veçantë, pasi kjo detyrë është jetike edhe për çdo proces të mëtejshëm integrues.Z. Ambasador, ju e përmendët, në fakt, çështjen e pavarësisë së këtij institucioni dhe madje edhe një ditë më parë znj. Ina Rama tha se shpresonte që edhe nën drejtimin e z. Llalla organi i akuzës do të ishte i pavarur. A besoni ju se z. Llalla, ashtu siç ka marrë vlerësime kur ka drejtuar ILDKP-në, edhe në detyrën e Prokurorit të Përgjithshëm do të arrijë ta mbajë këtë institucion të pavarur dhe të pandikuar nga politika?Ambasadori Wollfarth: Kam shumë besim, po, por e ardhmja do ta tregojë. Ai ka përpara një detyrë të madhe, por, sërish, kam besim se ai do të jetë në gjendje ta kryejë këtë detyrë kërkuese.Z. Ambasador, emërimi në krye të Prokurorisë së Përgjithshme të z. Adriatik Llalla u shoqërua me debate për shkak të diskutimit të hapur, sidomos mes ekspertëve, por edhe politikës, për çështjen e mandatit të znj. Ina Rama. Në një debat ku u përfshitë edhe ju, madje disa media ju kanë kritikuar për ndryshim qëndrimi: fillimisht deklaruat se përfundonte në maj të 2013-s dhe më tej deklaruat se nuk kishte rëndësi se kur përfundonte mandati, por e rëndësishme ishte të zgjidhej personi i duhur për atë detyrë. Fillimisht, në kushtet kur tashmë kemi një prokuror të ri, kur mendoni ju se duhet të ishte bërë zëvendësimi i tij? A ka shkelje të ligjit në faktin që zëvendësimi i znj. Ina Rama u bë tani? Një pyetje tjetër referuar kësaj: si e vlerësoni ju punën 5-vjeçare të znj. Ina Rama në krye të prokurorisë së Përgjithshme, sikundër ajo ka qenë në krye të organit të akuzës në momente të veçanta, siç është për shembull, rasti i 21 Janarit?Ambasadori Wollfarth: Lejomëni të filloj me këtë të fundit, me 21 Janarin.Unë jam mes atyre që do të donin të shihnin një zhvillim të shpejtë, bazuar në ligj, në këtë çështje të rëndësishme dhe që të bëheshin të gjitha sqarimet e nevojshme. Është shumë e rëndësishme për familjet e atyre që vdiqën më 21 Janar, si dhe për tërë vendin, që të kemi qartësi të plotë. Lidhur me procesin e emërimit, ai u bë, me sa pamë, në përputhje me legjislacionin. Pati një seancë dëgjimore në komision dhe, më pas, një vendim në seancën plenare të Kuvendit. Pra, në këtë aspekt, rregullat u ndoqën qartësisht - një fakt shumë i rëndësishëm ky. Sa i përket leximit, duke qenë se kur rregulli ndryshoi për mandatin dhe mbarimin e mandatit të Prokurorit të Përgjithshëm nuk u përcaktua qartë se në cilën datë saktësisht do të ndodhte ndryshimi, unë thashë që ka argumente shumë të mira për majin 2013, por, siç ndodh shpesh në punët ligjore, ka gjithashtu lexime të tjera të mundshme, mes tyre nëntori i këtij viti. Siç u duk, kjo e fundit mbizotëroi ndër personalitetet që janë vendimtare për këto emërime në vend. Kjo është e pranueshme, në fushën ligjore kjo ndodh, jo vetëm ndonjëherë, por është një proces normal. Si rrjedhojë, është mirë gjithashtu që të kemi një diskutim, një diskutim publik bazuar edhe në leximet e ndryshme dhe ta përcjellim këtë. Prandaj nuk shoh ndonjë luhatje në këtë pikë. Në kërkim të argumenteve për qëndrimet e ndryshme, u zgjodh njëri dhe tani vendi duhet të shohë përpara, si edhe ta përkrahë Prokurorin e Përgjithshëm në detyrën e tij të pavarur për të bërë punën më të mirë të mundshme për maksimumin e shtetit ligjor në Shqipëri, pasi kjo është tejet e rëndësishme për procesin e integrimit dhe procesin e reformave.Si e vlerësoni punën e znj. Ina Rama?Ambasadori Wollfarth: Kjo nuk më takon mua medoemos, por, në tërësi, kam një përshtypje pozitive dhe shumë respekt për kryerjen e detyrës deri në ditën e fundit nga ana e saj, si dhe për dorëzimin në mënyrë shumë dinjitoze të detyrës te pasardhësi. Pas shumë vjetësh në detyrë, me sukses në detyrë, me siguri ky nuk është çasti më i lehtë, por ajo veproi shkëlqyeshëm, edhe me procesin dinjitoz dhe dorëzimin. Kjo është çka vendi duhej të kishte parë, kjo është çka vendi pa dhe unë s'mund të bëj gjë tjetër përveçse ta lavdëroj këtë gjë.Z. Ambasador, kjo intervistë me ju realizohet në një moment kritik për Shqipërinë në kushtet kur ajo për herë të tretë ka marrë një refuzim për statusin e vendit kandidat, refuzim që erdhi si pasojë e mosarritjes në një kompromis mes maxhorancës dhe opozitës për miratimin e tri ligjeve me shumicë të cilësuar. Në kushtet kur jemi refuzuar për herë të tretë, në opinionin tuaj, cila palë duhet ta ndjejë më shumë përgjegjëse veten për këtë dëm që i ka shkaktuar Shqipërisë dhe shqiptarëve në rrugën integruese?Ambasadori Wollfarth: Për Shqipërinë dhe politikanët e saj, për klasën politike - qofshin lidershipi i partive apo deputetët - është e rëndësishme të kuptojë që vetëm kur Shqipëria luan si ekip, ekipi "Shqipëria", së bashku, për të arritur shumicën e cilësuar, e cila është e nevojshme për të ndërmarrëhapat e reformës të kërkuara nga Komisioni i Bashkimit Evropian, atëherë mund të ketë sukses. Pra, lojë skuadre dhe zhvillimi i duhur i procesit të reformave. Prezenca e OSBE-së këtu ndihmon me shtetin e së drejtës: fuqizimin e institucioneve demokratike, si parlamenti, por edhe autoritete të tjera; me zgjedhjet - ky është një tjetër moment kyç vitin e ardhshëm në 2013-n; dhe gjëra thelbësore si këto. Disa prej tyre janë politike, të tjerat janë shumë teknike. Kur këto kryhen, sa herë është e mundur, nga ekipi Shqipëria, atëherë unë shoh mundësi të mëdha për bërjen e përparimit të nevojshëm. Kur kjo nuk ndodh, kur ka bllokim, atëherë kemi një ngecje në vend dhe kjo është ajo që, me sa duket, po ndodh këto ditë. Nuk është fundi i botës, por, padyshim, nuk është lajm i mirë. Do të doja të shihja një integrim të mirë e cilësor dhe, për këtë, e përsëris, puna në ekip do të ishte emri i lojës. Unë shpresoj ta shoh këtë - nëse guxoj do të doja ta shikoja që përpara zgjedhjeve të 2013-s. Ndoshta duhet të presim deri pas zgjedhjeve, por do të doja ta shihja sa më shpejt që të jetë e mundur dhe kam përshtypjen se nuk jam i vetmi që e dëshiroj këtë.