BE: Pa reforma s`ka status kandidat për Shqipërinë
Asgjë e re nga Perëndimi. Shqipëria për herë të 3-të nuk e merr statusin e vendit kandidat. Këshilli i ministrave të jashtëm të BE-së do të miratojë sot konkluzionet, ndërsa kërkohet nga Shqipëria të përmbushë tre reformat e përcaktuara në rekomandimit e KE-së, duke përfshirë edhe luftën kundër korrupsionit dhe krimin e organizuar.Një nga provat që pritet të vendosë për fatin europian të Shqipërisë do të jenë mbajtja e suksesshme e zgjedhjeve parlamentare të vitit 2013, që do të konfirmojë funksionimin pa probleme të institucioneve demokratike të vendit. Por përveç kësaj Shqipërisë i kërkohet që të shmangë deklaratat që shkojnë kundër marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë.Fati i statusit kandidat këtë herë është shkruar nga dora e politikës shqiptare e cila nuk arriti të përmbushte plotësisht jo vetëm 12 kushtet e përcaktuar që në 2010, por as kërkesat e Komisionit Europian të bëra të qarta tetorin e kaluar për reformën parlamentare, ligjin për gjykatën e Lartë dhe atë të nëpunësit civil."Këshilli vëren rekomandimin e Komisionit për t'i dhënë Shqipërisë statusin kandidat, nëse përmbushen masat kyçe në fushat e reformës së gjyqësorit dhe administratës publike dhe pas ndryshimeve të rregullores së parlamentit. Me qëllimin që të vendosë për dhënien e statusit kandidat, Këshilli fton Komisionin të raportojë sa më shpejt të jetë arritur progresi i nevojshëm, duke marrë parasysh gjithashtu veprimet e mëtejshme të ndërmarra nga Shqipëria për të luftuar korrupsionin, krimin e organizuar, përfshirë hetimet pro-aktive dhe ndjekjet penale të rasteve të tilla" theksohet në përfundimet për Shqipërinë të cilat pritet të miratohen gjatë takimit të ministrave të BE-së.Këshilli njeh përparimin e bërë nga Shqipëria falë përmirësimit të dialogut mes qeverisë dhe opozitës pas marrëveshjes së nëntorit të kaluar, por nënvizohet nevoja për të intensifikuar më tej përpjekjet, e identifikuara nga raporti i Komisionit, veçanërisht në fushën e reformave të gjyqësorit për të forcuar pavarësinë, efikasitetin dhe llogaridhënien e tij, në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, në mbrojtjen e të gjitha minoriteteve, si dhe në zbatimin e reformave.Sipas Këshillit "mbajtja e suksesshme e zgjedhjeve parlamentare të vitit 2013 do të jetë një test thelbësor për funksionimin pa probleme të institucioneve demokratike të vendit", ndërkohë që ritheksohet se "dialogu i qëndrueshëm dhe përpjekjet e vazhdueshme në të gjithë fushat e përfshira në prioritetet kyçe do të mbeten thelbësore në zbatimin e reformave të nevojshme për të ardhmen e Shqipërisë në BE"Rezultatet e prekshme nga ana e Shqipërisë në reformat e përcaktuar nga Brukseli do të jenë të nevojshme edhe për fazën e menjëhershme pas statusit. "Në mënyrë që Shqipëria të nisë negociatat me BE-në do të jetë i nevojshëm zbatimi i qëndrueshëm i reformave dhe përmbushja e të gjitha kritereve kyçe" thuhet në raport.Si është përshkruar në rekomandimin e Komisionit, Këshilli bën thirrje për fokus të veçantë mbi: zhvillimin e zgjedhjeve në përputhje me standartet europiane dhe ndërkombëtare ; përforcimin e pavarësisë, efikasitetit dhe llogaridhënies së institucioneve gjyqësore ; përpjekjet e vendosura në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, përfshirë hetimet pro-aktive dhe ndjekjet penale, me qëllim ndërtimin e gjurmëve të forta të provave ; masat efektive për të përforcuar mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe politikat anti-diskriminuese, përfshirë në fushën e minoriteteve, dhe trajtimin e barabartë të tyre; dhe zbatimin e të drejtës së pronës".