Rama me tregëtarët në Lushnje: Në 2013 një politikë të re zhvillimi
Listat e borxheve që qytetarët shqiptarë kanë ndaj bizneseve të vogla janë shumë të gjata dhe shifra e përgjithshme e tyre është 150 milionë euro. Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, gjatë takimeve që ka pasur paraditen e së hënës me biznesmenë dhe tregtarë të vegjël në qytetin e Lushnjës, e ka vënë theksin te situata e rënduar ekonomike që pasqyrohet qartësisht në këtë marrëdhënieje huaje të pashpresë mes qytetarëve dhe bizneseve të vogla.Sipas kryesocialistit kjo situatë nuk mund të ndryshojë pa ndërhyrjen efektive të shtetit, i cili duhet të heqë menjëherë taksën e biznesit të vogël dhe gjithashtu të stimulojë këtë kategori të biznesit, që nuk është gjë tjetër vetëm se një pjesë e madhe e familjeve shqiptare të vetëpunësuara, për të siguruar jetesën.Nga ana e tyre tregtarët dhe përfaqësuesit e biznesit të vogël i kanë folur kreut të PS, për situatën dramatike që po kalojnë, ku kryesocialisti Rama ka garantuar tregëtarët se me ardhjen e tij në pushtet do të heqë taksën e biznesit të vogël.“Do ta heqim taksën e biznesit të vogël, patjetër. Ndërkohë që sipas një llogarie që kemi bërë ne, këto librat e borxheve shkojnë të paktën 150 milion euro në gjithë dyqanet. Është një shifër e tmerrshme. Megjithatë besojmë që duke e hequr taksën e biznesit të vogël dhe duke u dhënë edhe disa mbështetje indirekte për biznesin e vogël, mund të fillojë të rigjenerohet”tha ai.Më tej Rama ka ndaluar në një treg fruta-perimesh, i cili sipas atyre që punonin aty, pasqyronte më së miri gjendjen ekonomike të qytetarëve, që pothuajse e kishin braktisur atë dhe mallrat që tregtoheshin aty.Sipas Kryesocialistit kjo është panorama më e qartë e rrënimit ku e ka katandisur vendin qeverisja e korruptuar dhe e papërgjegjshme dhe PS është e angazhuar për të bërë të mundur këtë ndryshim që është i domosdoshëm, ndryshim i cili do të sigurojë për shqiptarët një politikë të re të zhvillimit, një politikë të re të mbështetjes së biznesit, një politikë të re taksimi të ndershëm dhe një politikë të re të punësimit real.