Meta: Vënia e interesave partiake mbi ato kombëtare penguan marrjen e statusit
Kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta ka shprehur keqardhjen lidhur me sjelljen e klasës politike shqiptare përkundrejt axhendës kombëtare të integrimit të vendit.Nga qyteti i Shkodrës ku pati një takim me strukturat e LSI në kuadër të anëtarësimeve të reja në këtë parti, Meta u shpreh se është për të ardhur keq që konflikti politik vendos interesat personale mbi ato kombëtare.“Sot duhet të ishte një ditë më e mirë për të gjithë shqiptarët, duhet të ishte një ditë ku të gjithë në vijmë të festave të festonin edhe miratimin e statusit kandidat për në Bashkimin Europian për vendin tonë. Por është për të ardhur keq që ne përsëri do të na duhet kohë për ta marrë këtë status, jo sepse Shqipëria dhe shqiptarët nuk ishin të gatshëm për ta merituar por sepse konflikti politik që ende gjallon, i cili vendos interesat afatshkurtra mbi ato afatgjata, interesat parciale dhe partiake mbi ato kombëtare, e pengoi Shqipërinë për ta marrë statusin e vendit kandidat për në Bashkimin Europian. Megjithatë Shqipëria ka vetëm një destinacion që është pikërisht procesi i pandalshëm i saj, pavarësisht nga vonesat, pavarësisht nga pengesat, pavarësisht nga ngërçet që krijon politika e konfliktit herë pas herë, dhe ky destinacion është anëtarësimi i pashmangshëm në Bashkimin Europian”, tha Meta.Duke iu referuar dhe vizitës së ish kryeministrit dhe kreut të AAK, Ramush Haradinaj, Meta e vlerësoi si një shembull, i cili vuri interesin e Kosovës për vendosjen e dialogut me Serbinë."Sot do të marr një shembull tjetër më të freskët, më aktual që ka të bëjë pikërisht me mesazhet që dha një politikan shumë i njohur i Kosovës, z. Ramush Haradinaj, pas fitores së tij të dytë ndaj akuzave që i kishte bërë Serbia në Tribunalin e Hagës. Ramush Haradinaj është një nga heronjtë që çliruan Kosovën, është një njeri që mund të kishte humbur dhe jetën në luftë me okupatorin Serb, është një njeri i cili humbi në këtë luftë dy vëllezër të tij, humbi shumë kushërinj, shumë bashkëluftëtarë, është një njeri i cili u përballua dy herë në Hagë me akuzat e fabrikuara të Serbisë. Megjithatë kur ai triumfoi edhe së fundmi në gjykatën e Hagës mesazhi i tij kryesor, ndërkohë që jo pak të tjerë në Kosovë e akuzonin si tradhtar Kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi, pse po dialogonte me Kryeministrin e Serbisë, ishte: “Ne do të marrim përgjegjësi dhe ne duhet të vazhdojmë dialogun me Serbinë në emër të së ardhmes së gjithë qytetarëve të Kosovës dhe të një të ardhme evropiane të të gjithë rajonit”. Ndaj edhe unë shpresoj që të gjithë ata që e kanë pritur sot dhe do ta presin edhe nesër z. Haradinaj të mësojnë nga ky mesazh sepse konfliktet e vogla apo qofshin këto edhe të rëndësishme të së kaluarës nuk mundet të na vonojnë në prekjen e një realiteti më evropian për Shkodrën dhe për të gjithë shqiptarët. Unë besoj se ky mesazhi i duhur që ne japim sot edhe nga Shkodra”, vijoi fjalën e tij nga Shkodra z. Meta.Sipas kryetarit të Lëvizjes Socialiste për Integrim Shqipëria dhe shqiptarët kanë nevojë për mesazhe bashkëpunimi, nuk kanë nevojë as për retori konfliktuale, as për bllokime artificiale dhe për akuza reciproke pa limit.“Sepse shqiptarët duan zgjidhje, sepse shqiptarët kërkojnë në radhë të parë punësim, kërkojnë mundësi më të mira për veten e tyre dhe në veçanti për fëmijët e tyre. Politika e konfliktit veçse i merr energjitë dhe kohën e duhur politikës dhe të gjithë shqiptarëve për të ecur më shpejt në rrugën e zgjidhjes së problemeve ekonomike dhe sociale. Ndaj LSI si një forcë e interesuar në radhë të parë për integrimin europian të vendit, sepse përmes këtij procesi shikon realizimin e aspiratave të çdo familjeje shkodrane dhe shqiptare, të çdo pensionisti e veterani, të çdo fëmije, do të punojë pikërisht për të dhënë këto mesazhe bashkëpunuese dhe për të vënë theksin tek problemet dhe rëndësia e zgjidhjes së tyre dhe jo tek shtimi i problemeve të panevojshme. Unë jam i bindur se kjo politikë konstruktive që LSI ka demonstruar dhe që do të vijojë, do të vlerësohet edhe më tej nga qytetarët e Shkodrës dhe të mbarë Shqipërisë, sepse u bënë 22 vite eksperiencë me zgjedhjet, eksperiencë me partitë, eksperiencë me premtimet”përfundoi fjalën e tij Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta.Në këtë aktivitet janë anëtarësuar rishtas në Lëvizjen Socialiste për Integrim edhe 300 anëtarë të tjerë, një pjesë të të cilëve Lideri i LSI-së u dha dokumentet e anëtarësisë.