Statusi, Sequi: KE-ja, raport për Shqipërinë pas miratimin të ligjeve

Me një pyetje retorike, ambasadori i BE në Tiranë, Ettore Sequi ka deklaruar se unioni europian do të kushtëzojë statusin me zgjedhjet nëse Shqipëria vetëkushëtzohet prej tyre.Ambasadori Sequi tha se nuk kishte një përgjigje nëse një vendim pozitiv për Shqipërinë do merrej pas zgjedhjeve të 2013, por tha se uronte që lajmi i mirë të vinte sa më shpejt.“Unë do i përgjigjesha pyetjes suaj me një pyetje tjeter a do të kushtëzohet Shqipëria nga periudha zgjedhore” tha ai.Shqipëria refuzohet për herë të tretë në marrjen e statusit, pasi nuk plotësoi kriteret këmbënguli Ambasadori, duke shtuar se vetëm pasi të miratohen tre ligjet e kërkuara, KE-ja do të hartojë edhe raportin për vendin tonë.“Në tetor komisioneri Fule tha që KE ka rekomanduar statusin, por duke u plotësuar disa kushte. Komisioni Europian kërkoi miratimin e tre ligjeve për statusin dhe vijimin e luftës ndaj korrupsionit e krimit të organizuar. Komisioneri Fule tha që KE-ja do të hartonte një raport tjetër për Shqipërinë, sapo të plotësoheshin 3 kushtet. Janë shtetet anëtare të BE që do të marrin vendimin për statusin sipas rekomandimit të KE-së dhe ky takim do të zhvillohet pasi Komisioni Europian t’i ketë thënë vendeve të BE që Shqipëria i ka plotësuar kushtet. Shqipëria për momentin nuk i ka plotësuar kushtet dhe KE nuk ka hartuar një raport për vendet e BE-së” ka theksuar Sequi.Ndërsa Ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu tha se qeveria shqiptare ka përpara 3 sfida për të çuar në fund rrugën e marrjes së statusit, që së pari lidhet me apelin ndaj opozitës që të mos bllokojë proçesin."Mazhoranca po fton çdo ditë opozitën dhe liderin e opozitës të mos vazhdojnë të bllokojnë procesin e integrimit. Opozita nuk duhet t'i kthehet ripërsëritjes së motos se bllokimi është fitore. Për mua kjo është një sfidë kryesore në vazhdim të këtij procesi jo vetëm për marrjen e statusit të vendit kandidat. Ka një historik të zhvillimit të reformave, i cili duhet konsoliduar, këtij argumenti i duhet shtuar edhe një ndjenjë më të madhe përgjegjësie për të qenë jo vetëm të përgjegjshëm, por edhe të suksesshëm në sfidat që secili merr përsipër për të realizuar. Jemi të ndërgjegjshëm për faktin që kemi më shumë sfida para nesh dhe këto sfida nuk do të ndalen këtu” u shpreh ajo.Deklaratat u bënë gjatë tryezës së rrumbullakët të donatoreve dhe qeverisë shqiptare.