PSG, 40 milionë paund për Januzajn

Pas dështimit në tentativën e parë, Paris Saint-Germain ka rritur ofertën për Adnan Januzajn. Kampionia e Ligës së parë është i gatshëm të paguajë 40 milionë paund për transferimin e yllit të ri të Man Utd.Paris Saint-Germain ofroi 15 milionë paund për yllin kosovar të Manchester Unitedit, Adnan Januzaj, gjatë afatit të merkatos së janarit por ato u refuzuan nga djajtë e kuq.  Drejtuesit e klubit nga Parc des Princes janë duke përgatitur një ofertë të re, marramendëse për 19-vjeçarin. PSG është i gatshëm të paguajë 40 milionë paund për transferimin e Januzajt, shkruan gazeta “Star Sport”.Mesfushori me origjinë nga Kosova në tetor të vitit të kaluar nënshkroi kontratë të re me Manchester United me një përfitim prej 30 mijë Paund në javë. Drejtori ekzekutiv i Unitedit, Ed Woodward refuzoi ofertën e parë të PSG's për Januzajn duke bërë të qartë se futbollisti nuk është në shitje.Por trajneri Laurent Blanc refuzon të dorëzohet me shpresën për ta transferuar talentin në verë dhe është i bindur se mund të arrijë ta bashkojë me yjet e tjerë të skuadrës. Tekniku francez shpreson të shfrytëzojë rezultatet e dobëta të Unitedit këtë sezon duke i ofruar Januzajt një pagë prej 100 mijë paundësh në javë që do ta bënte atë një prej lojtarëve të rinj më të paguar në botë.Lajmi se një prej klubeve më të pasura në botë e kërkon Januzajn do të sjellë probleme të tjera për trajnerin e Unitedit, David Moyes. Ai beson se Januzaj mund të bëhet një prej yjeve e së ardhmes dhe do të luftojë për ta mbajtur në Manchester.