Stadiumi i Bulqizës, "Ndeshje mes bagëtish"

Qyteti i minatorëve siç është quajtur gjithmonë, vazhdon të jetë i varfër në çdo aspekt. Sa i përket të ardhurave dhe pasurisë natyrore, ky është një ndër qytetet më të pasura në vendin tonë e më gjerë. Megjithatë, ai vazhdon të jetë i "varfër" në aspektin social e kulturor.Një fakt që e tregon këtë është edhe stadiumi i këtij qyteti. Bulqiza përfaqësohet në kampionatin shqiptar të futbollit me një ekip i cili luan në kategorinë e dytë, ku dhe ndeshjet i zhvillon jashtë këtij qyteti. Dy javë më parë, ky ekip u përball me Burrelin nga ku rezultati final u vulos në shifra të barabarta, çka tregon se gjendja e tij është mjaft e mirë për kategorinë në të cilën luan.Ndërsa, është një qytet me shumë të ardhura për shkak të pasurisë nëntokësore që ka rrethi i Bulqizës, askush nuk i kushton vëmendjen e duhur sportit, duke e lënë atë pasdore. Kamera jonë fokusoi ambjentin e stadiumit të këtij qyteti i cili ndodhet ndërmjet dy pjesëve të qytetit të Bulqizës që siç e quajnë vendasit, Bulqiza e Re dhe Bulqiza e vjetër.Stadiumi në fjalë ka një rrethim vetëm me rrjetë dhe asgjë më shumë. Ndërsa në fushën e gjelbërt në vend të futbollistëve sheh një kope bagëtish që kullosin gjatë gjithë ditës. Teksa je duke i vëzhguar, aty duket sikur bagëtia loz futboll pasi e pëshkojnë të gjithë tapetin e gjelbërt. E kjo nuk përfundon me kaq, ambjenti në fjalë përdoret i gjithi nga bagëtitë, përfshirë këtu edhe dhomat e zhveshjes. Një qytet me aq shumë të ardhura, tregon një mungesë të theksuar vëmendjeje të pushtetit vendor i cili nuk i kushton aspak rëndësi sportit, apo jetës kulturore e artistike të qytetarëve të tij. Ndërsa ekipi luan nën emrin e këtij qyteti, asnjë kontribut i pushtetit vendor nuk është ndaj tij. Një stadium i tillë në një qytet shumë të pasur me njerëz tepër të varfër ekonomikisht por shumë të pasur shpirtërisht, duhet që patjetër të simbolizohet me diçka.Bulqiza njihet vetëm me mineralin e kromit që ka në të gjithë nëntokën e saj, ndërsa në aspektin kulturor, në këtë qytet nuk mungon vetëm vëmendja ndaj sportit, por të të gjitha fushave. Nëse pushteti lokal do t'i kushtonte më shumë vëmendje sportit të futbollit, atëherë Bulqiza do të ishte në kategori më të mira. Qytetarët shpresojnë që pushteti lokal të sensibilizohet dhe t'i kushtojë vëmendje më shumë sportit, dhe në vend të deleve në fushën e stadiumit të Bulqizës, të zhvillohen ndeshje futbolli që lartësojnë emrin e qytetit të minatorëve.