Kupa e Mbretit, Reali pranë finales
Ishte premtuar një ndeshje e madhe, një derbi i zjarrtë dhe në fakt i tillë rezultoi. Real Madrid-Atletiko është një duel shumë tërheqës, ndoshta edhe sepse në fushë janë dy ndër tre skuadrat më të mira në Spanjë të momentit.Galaktikët zhvillojnë një 90 minutësh perfekt dhe në fund dalin kryelartë me një fitore të pastër 3-0 duke qenë me një këmbë në finale. Skuadra e Ancelotit është e karikuar dhe kërkon me çdo kusht të marr hak dhe këtë gjë e tregon që në minutat para ku loja e tyre është shumë agresive. Nga ana tjetër Diego Simeone hedh në fushë formacionin më të mirë në kërkim të një rezultati pozitiv.Ndeshja nisi me një minutë heshtje në nder të ish trajnerit të kombëtares së Spanjës, Luis Arragones, i cili ndërroi jetë vetëm pak ditë më parë. Në minutat e para, Reali i Madridit u tregua më këmbëngulës por goli do të vinte vetëm në minutën e 17-të ku Pepe lëshon një goditje nga jashtë zone, që u devijua nga Insua dhe përfundoi në rrjet. Në minutat në vijim spikat një lojë mjaft agresive.Ndërsa ndeshja gjithmonë e më shumë u shëndrrua në një duel mes Diego Kostës dhe Pepe-s, ndoshta një taktik alla Murinjo e përdorur nga Anceloti në mënyrë për të nxjerr jashtë loje futbollistin më të mirë të Los Kolconeros. Ndërkaq dukej se në fushë Kristiano Ronaldo vetëm shëtiste, teksa lëshon goditjen e parë vetëm në minutën e 41-të.Me fillimin e pjesës së dytë, Reali i Madridit nuk ndryshoi lojën, duke u shfaqur gjithmonë e më këmbëngulëse për të thelluar avantazhin. Goli i dytë për galaktikët erdhi në të 56-ën pas një asisti perfekt të Di Marias, i cili dha një top të bukur për Jese Rodriguez, që ndeshje pas ndeshje po tregon vlera të jashtëzakonshme.Në minutën e 73-të Reali do të shënonte golin e tretë thuajse e njëjta skemë si në golin e parë, ku këtë herë goditjen do ta lëshonte Di Maria ndërsa devijimin do ta bënte Miranda. Ndeshja e kthimit do të luhet pas një jave në "Vincente Calderon" por vështirë se do të ketë një përmbysje pasi krahas rezultatit 3-0 në fushë nuk do të jetë as Diego Kosta i pezulluar për shkak kartonash.