Sampdoria mund Xhenoan në derbi
Seria A, krahas derbeve kryesore të kreut të klasfikimit, në kalendarin e saj ka edhe një derbi të veçantë, atë të Xhenovës, një sfidë që gjithmonë dhuron emocione. Në takimin e zhvilluar mbrëmë, Xhenoa ishte vendase ndërsa Sampdoria luante si skuadër mike. Vendasit në fakt e kishin fituar ndeshjen e fazës së parë me një rezultat të thellë 3-0. Gasperini ka formuar një grup solid duke arritur të kalojë edhe krizën që ka prekur këtë klub, ndërsa përballë ishte një Sampdoria që kërkonte me patjetër pikë.Nën drejtimin e Mihajlovic, miqtë hynë të karikuar dhe gjejnë menjëherë golin e avantazhit që do të rezultonte edhe i fitores në minutën e 24-të me Maksi Lopez. Pjesa e parë ishte e mbushur me raste sidomos për Sampdorian, por që nuk arriti t'i finalizojë ato. Në krahun tjetër Xhenoa provoi në disa raste të gjente golin e barazimit. Në pjesën e dytë, skuadra e Gasperinit ndryshoi ritmin dhe e kërkoi më shumë golin. Deri në fund vendasit nuk do të mundin të gjejnë golin e barazimit. Ndërkohë që te skuadra e Sampdorias, ishte sërish Maksi Lopez që u shfaq rrezikshëm në portën kundërshtare.Miqtë me këtë fitore janë ngjitur në kuotën e 25 pikëve duke u larguar disi nga zona e ftohtë, ndërsa Xhenoa është në vendin e 11-të me 27 pikë.