Ergys Kaçe, lojtari më i mirë i ri në Greqi

Ergys Kaçe po përjeton një moment mjaft të mirë në karierën e tij. Pas pezullimit nga  klubi për një foto me bluzën e UÇK, talenti shqiptar është rikthyer në fushë dy javë më parë dhe e ka bërë në mënyrën më të mirë. Dje mesfushori i kombëtares shqiptare u shpall futbollisti më i mirë i ri në Greqi për vitin kalendarik 2013.Ky çmim është një arritje e madhe për Kaçen i cili pasi fitoi sërish përkrahjen e klubit dhe tifozëve të Paokut pas gjestit që bëri shtatorin e kaluar duke mbajtur veshur një fanellë me Logon e UÇk. Menjëherë pas marrjes së këtij çmimi, Kaçe falenderoi shokët e ekipit, tifozët për mbështetjen dhe  tre trajnerët që ka pasur te Paoku gjatë vitit 2013 Georgios Georgadis, Giorgos Donis dhe Holandezin Hubb Stivens që e drejton edhe aktualisht.Mesfushori 20-vjeçar ja dedikoi familjes së tij dhe tifozëve të Paokut trofeun e fituar. Kaçe gjatë karrierës së tij profesioniste ka luajtur në total 35 ndeshje në superligën greke me Paokun gjatë të cilave ka shënuar edhe një gol. Ndërsa sa i përket kombëtares kuqezi, Kaçe ka bërë 6 ndeshje duke realizuar edhe një gol në miqësoren me Armeninë. Ai pritet të jetë edhe protagonist absolut në eleminatoret e Europianit për kombëtaren tonë.