Udineze mund Milanin, kalon në gjysmëfinale

Duket se gëzimi për trajnerin e Milanit, Klarens Sedorf, ka zgjatur shumë pak pas fitores ndaj Veronës. Kuqezinjtë mbrëmë janë mundur në shtëpinë e tyre 1-2 duke humbur edhe mundësinë për të shkuar në gjysmëfinale të Kupës së Italisë.Edhe pas largimit të Alegrit, skuadra vazhdon të çalojë në mbrojtje, atje ku kundërshtarët bëjnë atë që duan. Pjesa e parë ishte më e mirë për Milanin që kaloi në avantazh me Balotellin që shfrytëzoi  më së miri krosimin e Birsas nga e djathta. Në anën tjetër Muriel dhe Badu shpërdorojnë një sër rastesh për të barazuar rezultatin. Në minutën e 40-të, Udinese fitoi një 11-metërsh pasi Ëidmer u pengua nga Emanuelson, ndërsa Muriel shënoi nga pika e bardhë.Fraksioni i dytë ishte më i mirë për Udinezën që bën gjithçka në mbrojtjen e çorganizuar të Milanit. Gabriel Silva, Badu e Muriel rrezikuan disa herë portën e Abiatit. Rastin e parë të rrezikshëm në këtë pjesë Milani e krijoi me Balotellin që ekzekutoi me potencë goditjen e dënimit por Brkiç reagoi në kohë. Në të 78-ën, Udinese shënoi edhe golin e dytë me Nico Lopez, i cili pas një veprimi spektakolar lëshoi një goditje mjaft të bukur në cepin e majtë të portës së Abiatit.Sedorf duket se ka edhe shumë për të bërë në të ardhmen.