Monaco dhe Kolumbia frikë për Falcaon
Ylli i Monacos, Radamel Falcao, ka pësuar një dëmtim në gjurin e majtë në fitoren 3:0 ndaj Monts Or Azergues në Kupën e Francës. Sulmuesi kolumbian kishte dhimbje të mëdha ndërsa u largua nga fusha me barrel. Sulmuesi kolumbian rrezikon të humbasë Botërorin 2014 pas një dëmtimi serioz që pësoi në pjesën e parë të takimit nga një ndërhyrje e ashpër e mbrojtësit të skuadrës kundërshtare, Soner Ertek.Falcao e shënoi golin e parë për Monacon në minutën e 29'-të të takimit - goli i tij i 11'të këtë sezon - por u detyrua të braktisë ndeshjen pasi u shtri mes dhimbjesh në fushë, vetëm 4 minuta para fundit të pjesës së parë.Mbetet për t'u sqaruar në vijim shkalla e dëmtimit të kolumbianit, por në rast se do të rezultojë vërtet serioz siç dyshohet, ky do ishte një lajm shumë i keq për Monacon, që në kampionat ndodhet në vendin e dytë, 5 pikë prapa Paris Saint Germain. Kanë të drejtë të shqetësohen edhe te kombëtarja kolumbiane, pasi do të kishte pasoja jo të lehta për skuadrën mungesa e një super lojtari si Falcao në Kampionatin Botëror.Në Ligue 1, aventura e sulmuesit nisi mbarë me Monacon pas transferimit nga Atletico Madrid, por për shkak të dëmtimeve ka patur luhatje të ndjeshme, madje është përfolur edhe për një largim të mundshëm.