Në rrezik ndeshjet e Botërorit në Curitiba
Kuritiba rrezikon të mos jetë gati për ndeshjet e botërorit në Brazil, në rast se nuk përshpejtohet puna për mbarimin e objektit në kohë. Sekretari i përgjithshëm, Jerome Valcke ka zhvilluar inspektimin e radhës në vendin organizator të Botërorit 2014, nga ku foli me optimizëm, por edhe me tone kritike."Brazili nuk ka tjetër zgjidhje, duhet të jetë patjetër gati në kohë për këtë event të madh. Në 2007-ën, brazilianët kërkuan mbështetjen e të gjithë botës për të organizuar Kampionatin Botëror këtë vit. 31 skuadra nga e gjithë bota, mijëra tifozë dhe rreth 7 mijë gazetarë priten të mbërrijnë për Botërorin, prandaj të gjithë bashkë duhet të punojmë sa më shumë".Valcke është shprehur se puna në stadimin "Arena da Baixada" është prapa me planin dhe një vendim nëse ndeshjet në Curitiba do të luhen, do të merret përfundimisht më 18 Shkurt. Situata në përgjithësi është vërtetë alarmante. Kur mbeten më pak se 5 muaj nga starti i Kampionatit Botëror, në 6 nga 12 stadiumet e parashikuar në kalendar, punimet nuk kanë përfunduar ende. Në stadiumin e Kuritiba me kapacitet 42 mijë vende, pritet të luajë edhe Spanja, kampione në fuqi e Botës , por ngelet të shohim deri në qershor nëse ky impiant do të jetë gati.