Moratti refuzon shkëmbimin Guarin-Vuçiniç

Inter njoftoi se presidenti i ri, Erick Thohir, ishte ai që mori vendimin kundër shkëmbimit të Fredy Guarin me sulmuesin e Juventusit, Mirko Vucinic. Por duket se këtë gjë e ka bërë i "vjetri", Massimo Moratti.Atëherë kur pritej vetëm zyrtarizimi i marrëveshjes, dështoi gjithçka. Inter u pendua dhe u tërhoq nga shkëmbimi i mesfushorit Fredy Guarin me sulmuesin e Juventusit, Mirko Vucinic. Pas dy ditësh bisedimesh, klubet kishin mbetur për të finalizuar vetëm edhe detajet e fundit, por në fund erdhi lajmi se Inter u tërhoq pas vendimit nga presidenti i ri, Erick Thohir.Në komunikatën zyrtare të shoqërisë milaneze shkruhej: "FC Inter informon se ka vendosur të mos vazhdojë përpara me bisedimet me Juventusin për këmbimin mes lojtarëve Guarin e Vucinic. Presidenti Eric Thohir pasi diskutoi me Massimo Morattin dhe drejtuesit e shoqërisë doli në përfundimin se nuk janë kushtet teknike dhe ekonomike për arritjen e marrëveshjes dhe urdhëron përfaqësuesit të shfrytëzojnë mundësitë e merkatos me objektivin për të forcuar skuadrën sipas normave të fair play financiar".Sipas "Sky Sport", vendimin e mori i "vjetri", Massimo Moratti. Sipas ekspertit të tregut të futbollistëve, Gianluca di Marzio, Moratti e këshilloi Thohirin të mos e realizojë shkëmbimin pasi besonte se ai do të favorizonte Juventusin.Lajmi u konfirmua edhe nga drejtori i Interit, Fassone i cili deklaroi: "Mungesë e komunikimit, pasi kemi bashkuar mendimet, erdhi vendimi".