"Buzëqesh United", rikthehen Rooney dhe Van Persie
Pas rezultateve të dobëta në fillim të 2014-ës, Manchester United më në fund mund të pres ditë më të mira. Sulmuesit Uejn Rooney dhe Robin Van Persie janë pranë rikthimit nga dëmtimi.Viti 2014 ka nisur mbrapshtë për David Moyesin dhe Manchester Unitedin e tij. Humbja 3:1 nga Chelsea të dielën e la kampionen e Anglisë në vendin e shtatë me 14 pikë më pak se kryesuesja, Arsenal dhe rezultatet pozitive në Ligën e Kampionëve kanë qenë i vetmi element pozitiv gjatë këtij sezoni.Rooney mungoi në katër ndeshjet e fundit kurse Van Persie nuk ka luajtur në dhjetë ndeshje."Uejn është rikthyer i freskët nga ditët e pushimit. Ai është duke vrapuar dhe duket mirë", deklaroi Moyes.Rooney pritet të luaj në ndeshjen e kthimit mes Unitedit dhe Sunderlandit në “Old Trafford”, takim i vlefshëm për gjysmëfinalen e Capital One Cup ku kërkohet përmbysja e disavantazhit 2:1.Ndërsa për holandezin, Moyes është shprehur se rikthimi në stërvitje është i pashmangshëm."Shpresoj që Robin të fillojë stërvitjet sa më parë. Nëse mund ta kthej në fushë sa më parë, do të ishte lajm shumë i mirë për ne sepse është futbollist i rëndësishëm dhe na ka munguar. Të dy janë afër rikthimit dhe shpresojmë të mos presim edhe shumë gjatë", përfundoi skocezi.