Basha: “Luftë” në Kuvend e rrugë, statusi u bllokua nga Rama e jo nga ekstremistët

Kreu i PD-së Lulzim Basha ka mbledhur sot grupin parlamentar demokrat ku ka bërë një rezume të punës së tij gjatë këtyre 4 muajve. Në fjalën e tij, Basha theksoi se Kuvendi nuk do te katandiset kurrë në një bisht të ekzekutivit."Në katër muajt që lamë pas qytetarët shqiptarë  kanë parë të  përplasen fort në aulën e Kuvendit dy mendësi diametralisht  të kundërta; Në një anë mendësia e vjetër e kryeministrit dhe bashkëpunëtorëve të tij të ngushtë  për  Kuvendin si fasadë dhe formalitet,  për Kuvendin si kazermë, për Kuvendin si zyrë  noterizimi e arbitaritetetit dhe trilleve antiligjore të  kryeministrit, për Kuvendin si një institucion  të tepërt për  qeverisjen dhe kryeministrin arbitrar, që vetëm  sistemi i ri dhe epoka e re ku jetojmë dhe  prania e një opozitë te vendosur në aulën e Kuvendit dhe komisione  e pengojnë të mos i jepet  tundimit  për ta bërë të paqenë. Në anën tjetër,  falë  vizionit dhe përformancës së grupit  tonë parlamentar dhe opozitës në tërësi  dhe tek-tuk edhe të ndonjë deputeti të shumicës,  ka dalë akoma më shumë në pah mendësia e re dhe moderne për parlamentin dhe parlamentarizmin  si tempull dhe gjenerator i demokracisë, si arenë e pluralizmit,  si garanci i lirive dhe shtetit ligjor. Kjo është   mendësia fituese, mendësia  e së ardhmes. Kuvendi i Shqipërisë nuk mundet dhe nuk do të  katandiset kurrë në një bisht të ekzekutivit" tha Basha.Sipas tij, asnjë mashtrim i Qeverisë nuk do të kalojë pa u demaskuar dhe asnjë ligj nuk do të kalojë pa hasur kundërshtinë e opozitës."Do të çojmë përpara betejat tona për transparencën dhe kundër arbitraritetit. Do të vazhdojmë betejën që kemi nisur për fshirjen e të dhënave tek tatimet dhe kur hapësirat institucionale të dështojnë do të dalim edhe në protesta", tha Basha.Gjatë fjalës së tij Basha u ndal edhe në proçesin e integrimit, ku deklaroi se nëse Shqipërisë i refuzohet statusi edhe në qershor, përgjegjësia do të bjerë vetëm mbi mazhorancën dhe askënd tjetër.“Një tjetër moment i  madh dhe  i veçantë i politikës tonë  në këtë periudhë do të jetë integrimi. Nesër Serbia, një vend që ka startuar vite të tëra më vonë se ne në rrugën e integrimit,  do të hapë bisedimet për anëtarësim në BE.  Rama  me të tijtë, që bllokuan statusin  kur ishin në opozitë dhe e humbën kur erdhën në pushtet,   i kanë rezervuar vendit të tyre një pritje  fyese pa ndonjë perspektivë të qartë.  Duke shprehur  shqetësimet tona për leximin e gabuar dhe qëndrimet   e gabuara të Ramës dhe Metës në lidhje  me refuzimin e statusit për Shqipërinë, çfarë paralajmëron një dështim të ri  në muajin qershor, ne do të vijojmë politikën tonë “zero kushte për integrimin”.  Por shqiptarët e dinë  se nuk bëhet vetëm me opozitën. Nuk do të bëhet dhe nuk mund të bëhet pa qeverinë. Qeverisë i është  dhënë një afat i ri për të dhënë provat e një reflektimi të thellë e serioz  në lidhje me respektimin e  Kushtetutës, ligjit, standardeve europiane, opozitës. Qeveria  ka barrën e provave për të marrë statusin. Në të kundërtën mbi të do të bjerë me një peshë më të rëndë  barra e dështimit me gjithë pasojat  përkatëse” nënvizoi Basha.