Basha: Me arbitraritet dhe paligjshmëri, Rama prodhon tensione midis qeverisë dhe opozitës
Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha është ndalur në Kavajë në kremtimet e 23 vjetorit të krijimit të degës së PD në këtë qytet. Mirënjohje të veçantë Basha ka shprehur, jo vetëm për themeluesit e PD-sw, por për çdo qytetar të Kavajës, të cilët e shndërruan këtë qytet në një monument të madh frymëzues të kurajos civile, dhe të sakrificës për liri.“Jo vetëm për anëtarët e PD të Shqipërisë, jo vetëm për militantët tanë, jo vetëm për simpatizantët tanë por për çdo shqiptar e shqiptare që di të vlerësojë dhe vlerëson lirinë e frytet e saj, Kavaja është për Shqipërinë dhe demokracinë, Meka dhe Betlehemi i saj”, tha Basha.Nga Kavaja, kryetari i PD Lulzim Basha ka preferuar të japë edhe direktivën e tij për një analizë objektive dhe pa gjueti shtrigash në të gjitha degët e kësaj partie në rrethe. Duke lançuar bashkimin, hapjen dhe kthimin, Basha ka qenë i prerë në qëndrimin e tij se Partia Demokratike është partia e gjithë demokratëve, të çdo periudhe dhe çdo brezi.“Në Kavajë është vendi i duhur të nënvizoj direktivën për një analizë objektive dhe profesionale, në procesin e zgjedhjeve që po hapim, pa disfatizëm, pa harakiri por pa mbyllje sysh e gojësh, pa gjueti shtrigash por dhe pa oportunizëm të sëmurë, për shkaqet e rezultateve, shkaqet e rrudhjes, për shkaqet e spostimit të një pjesë të elektoratit tonë drejt kundërshtarit.Duke lançuar bashkimin, hapjen dhe kthimin, unë u them të gjithëve, se Partia Demokratike është partia e gjithë demokratëve, të çdo periudhe dhe brezi, është shtëpia e lirë e demokratëve të çdo periudhe dhe brezi, është shtëpia e lirisë e cilido që dëshiron të kontribuojë përmes saj apo duke e mbështetur atë për Shqipërinë europiane, për demokracinë pjesëmarrëse.Duke u nisur nga ky shembull, ne duam që njerëzit ta shohim Partinë Demokratike si shpresë dhe siguri dhe veten e tyre, si pjesë të saj, edhe pa qenë anëtarë të saj me teser”, tha Basha.Kreu i opozitës ka theksuar se qeveria e re ka zëvendësuar çdo vlerë të lirisë të fituar në këto 23 vjet me praktika antidemokratike të cilat po prodhojnë çdo ditë varfëri dhe prapambetje“Ky kryeministër, siç ka marrë pushtetin, ka marrë dhe arratinë me egoizmin e tij. Nuk pyet as për transparencë, le pastaj për konsultim, as për llogaridhënie reale apo të tjera vlera e parametra të demokracisë!Ky është koncepti i ri për domosdoshmërinë e transparencës, konsultimit dhe llogaridhënies. Injorimi i këtyre vlerave dhe zëvendësimi i tyre nga Rama me egoizmin e vjetër të “njëshit”, me arbitraritetin dhe arrogancën e një pushtetari të vulës më të vjetër, ka prodhuar e vazhdon të prodhojë tensione të mëdha midis qeverisë dhe shoqërisë shqiptare, midis qeverisë dhe opozitës, midis qeverisë dhe sipërmarrjes, midis qeverisë dhe partnerëve e aleatëve tanë strategjikë”, tha Basha.Basha e ka cilësuar tallje të kryeministrit takimin e tij me sipërmarrësit pasi refuzoi t’i dëgjojë për shqetësimet e tyre lidhur me rritjen e taksave. Në këto kohë kur ekonomia e vendit po shkon drejt greminës , demokratët, së bashku me shqiptarët duhet të marrin në dorë fatet e vendit, theksoi lideri i opozitës Lulzim Basha.